Kalkulimet politike dhe prapavijat që publiku nuk i di/ Çfarë pritet me shumicën parlamentare?

Shkup, 4 tetor – Përveç zgjedhjes së ministrit të ri të Vetëqeverisjes Lokale pas dorëheqjes së atij të deritanishmit, nuk planifikohen ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje deklaroi se Qeveria funksionon me kapacitet të plotë dhe se nuk planifikohet rikonstruim.

“Ju thashë, do të ketë ndryshim në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, duke qenë se kemi dorëheqjen e ministrit. Nuk ka plan tjetër. Asgjë tjetër nuk është planifikuar, tha kryeministri Kovaçevski, i cili dje mori pjesë në orën e parë akademike në Fakultetin Ekonomik në UCM në Shkup.

Në vërejtjen se zyrtarët e LSDM-së kanë paralajmëruar “ndryshime të vogla” në Qeveri, Kovaçevski theksoi se bëhet fjalë për “ndryshime shumë të vogla”.

“Mendoj se do të jenë shumë të vogla, duke qenë se Qeveria po funksionon me kapacitet të plotë dhe i kryen obligimet e veta dhe e zbaton Programin ashtu siç është rënë dakord”, tha kryeministri.

Kovaçevski theksoi se fillimisht duhet të konfirmohet dorëheqja e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale dhe pastaj zgjedhja e ministrit të ri në seancë të Kuvendit.

Kovaçevski u shpreh i kënaqur që propozimi i Partisë Liberale Demokratike për këtë pozitë është Risto Penov, sepse, siç tha, ai ishte një nga kryetarët më të mirë jo vetëm të Shkupit, por të vendit në tërësi, “i cili ka pas vetes një numër të madh projektesh të suksesshme për të cilat jemi dëshmitarë të gjithë sot”.

Te ai, siç theksoi, ende nuk ka mbërritur shkresa zyrtare nga PLD që propozimi Penov të jetë ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale.

Në Kuvend ende nuk është dorëzuar dorëheqja e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Goran Mileski. Nga Kuvendi theksojnë se nëse dorëheqja dërgohet gjatë kësaj jave, mund të konstatohet në seancën e re që kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e ka caktuar për më 17 tetor. Nëse me dorëheqjen vjen propozimi për zgjedhjen e ministrit të ri, votimi mund të bëhet në të njëjtën ditë në një seancë të re.

Xhaferi informoi për thirrjen e seancës së re sot në takimin e rregullt të së hënës me koordinatorët e grupeve parlamentare, në të cilim përsëri nuk mori pjesë koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive, Artan Grubi, gjithashtu, dje deklaroi se ndryshim në Qeveri do të ketë vetëm në vendin e zbrazët ministror të Vetëqeverisjes Lokale, ndërsa për çfarëdo lloj ndryshimesh tjera, mbetet, tha, që të vendosin liderët e partive politike.

“Nuk jam unë ai që vendos, jam ai që ekzekutoj. Unë jam në Qeveri për të ekzekutuar, jo për të menduar për këto çështje. Është dikush që mendon për ato çështje, është kryetari i partisë, organet e partisë, që marrin vendimet. Unë i zbatoj ato vendime, tha Grubi gjatë vizitës së tij në Strugë.

Duke e komentuar takimin e Blerim Bexhetit dhe Izet Mexhitit, të cilët janë pjesë e të ashtuquajturit. “Grupi i zjarrit” me deputetin e pavarur Kastriot Rexhepi dhe nëse ka mundësi për humbjen e shumicës parlamentare, Grubi është përgjigjur se vendit i duhet një shumicë e qëndrueshme parlamentare dhe përgjegjësia e të gjithë atyre që duhet të kontribuojnë në realizimin e synimeve të anëtarësimit në BE.

Bexheti dhe Mexhiti gjatë fundjavës u takuan me deputetin e pavarur Kastriot Rexhepi, ndërsa fotografi nga takimi në Fesjbusk shpërndanë me hashtag “bashkë” pa informacione të hollësishme. Mexhiti dje për televizionin 21 konfirmoi se Kastriot Rexhepi do t’i bashkëngjitet grupit parlamentar të BDI-së në Kuvend.

“Një fotografi është barabartë me 1.000 fjalë. Po, do të veprojë me grupin e deputetëve të BDI-së”, deklaroi Mexhiti.

Edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dje hodhi poshtë si spekulime informacionet për largimin e tij nga funksioni ministror dhe për rikonstruim të kabinetit qeveritar.

“Unë mendoj se këto janë spekulime, sepse edhe Qeveria edhe LSDM-ja kanë pasur qëndrim për këtë çështje. Atë që e kemi dëgjuar dhe e kemi parë, ja ku ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski, ka dhënë dorëheqje, kemi dëgjuar se zëvendës i tij do të ishte Risto Penov, politikan me përvojë dhe ish-kryetar komune, besoj se me përvojën e tij do ta ndihmojë punën e Qeveria. Për pjesën tjetër, mendoj se janë në nivel spekulimi”, tha Boçvarski dje si i ftuar në TV 24, i pyetur nëse do të ketë rindërtim të Qeverisë dhe nëse do të largohet nga funksioni.