Kadriu: Materialet e reja për mësim të gjuhës shqipe stimulojnë dëshirën e tyre për mësim

Shkup, 11 gusht – Për profesorin Vehbi Kadriu, përpunimi i materialeve të reja mësimore për gjuhën shqipe për klasën e parë ishte sfidë në të cilën i bashkoi njohuritë teorike me përvojën mësimore të fituar në punën dhjetëvejçare me studentët në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, të cilët përgatiten për mësuesit dhe edukatorët. Në konkursin e Byrosë për zhvillim e arsimit janë paraqitur së bashku me Mirela Terova, gjithashtu mësuese dhe autore me përvojë e teksteve shkollore, informon Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Konceptimi ynë për librin e gjuhës shqipe, si mjet mësimor që ndihmon drejtpërdrejt nxënësin për lexim dhe shkrim fillestar, përkon pothuajse plotësisht me Konceptin e ri për arsimin fillor. Koncepti i ri jo vetëm që kërkon një qasje të re dhe të ndryshme ndaj të mësuarit, por gjithashtu mundëson zbatimin e tij duke u përqendruar në kompetencat, standardet dhe rezultatet e të nxënit në qendër të studentëve”, tha Kadriu.

Sipas Kadriut, materialet mësimore janë përgatitur në atë mënyrë që të tërheqin vëmendjen e fëmijëve që jetojnë në këtë kohë, pafund kurioz, por edhe me një dëshirë të madhe për të luajtur. Ato janë bërë në përputhje me programin e ri për lëndën Gjuha shqipe, sipas të cilit trajnimi i nxënësve të klasave të para për lexim logjik dhe të saktë është në gjysmëvjetorin e dytë.

MASH thekson se materialet e reja mësimore përpunohen në përputhje me programet e reja të miratuara që duhet të ofrojnë ndërveprim më të madh gjatë mësimdhënies dhe të nxisin të menduarit krijues dhe kritik tek nxënësit.

“Ndryshimet parashikohen me Konceptin e ri për arsimin fillor të miratuar përmes një debati të gjerë publik, duke marrë parasysh opinionin e të gjithë aktorëve, dhe veçanërisht publikut ekspert. Zbatimi fillon në faza me fillimin e vitit të ri shkollor në klasën e parë dhe të katërt”, kumtoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.