“Jehona e Malësisë” organizon Festën e Flamurit për Fëmijë në nder të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Shoqata “Jehona e Malësisë”, me misionin e saj për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë, ka njoftuar organizimin e “Festës së Flamurit për Fëmijë”, një ngjarje tradicionale që i kushtohet 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Aktiviteti do të zhvillohet të mërkurën, më 26 nëntor 2025, nga ora 18:00 deri në 21:00, në ambientet e The Palazzo Grande, në adresën 54660 Van Dyke, Shelby Twp, MI 48316.

Ngjarja pritet të sjellë një mbrëmje të gëzueshme dhe edukative për fëmijët shqiptarë, me ushqim falas, pije freskuese dhe aktivitete argëtuese e kulturore për më të vegjlit – ambasadorët e ardhshëm të kulturës shqiptare.

Pjesë e programit do të jenë muzika nga DJ Erind Emiri dhe performancat artistike të Grupit “Gjergj Kastrioti”, me një repertor tradicional dhe patriotik që pasqyron krenarinë kombëtare.

Shoqata “Jehona e Malësisë” ka shprehur vlerësimin më të lartë për Z. Agron Martini dhe Z. Nikollë Gojçaj, dy anëtarë të dalluar që kanë kontribuar në organizimin e këtij eventi ndër vite, duke e kthyer në një traditë të qëndrueshme të komunitetit shqiptar në Michigan.

“Sakrifica dhe përkushtimi i tyre në promovimin e kulturës dhe identitetit tonë në diasporë përbëjnë një shembull frymëzues për çdo shqiptar,” theksohet në njoftimin e shoqatës.

Hyrja në event është falas, dhe organizatorët ftojnë të gjithë fëmijët, prindërit dhe të rinjtë shqiptarë që të bashkohen në këtë festë për të nderuar historinë, për të forcuar unitetin dhe për të kultivuar krenarinë kombëtare ndër breza.