Javier Solana: Gjithmonë do të mbetem mik shumë i mirë i Maqedonisë së Veriut

Shkup, 14 gusht – Në panelin e dytë të konferencës “Përtej Ohrit“, organizuar në Shkup kushtuar 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, ish-përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE), Javier Solana, përmes video-lidhjes ka shprehur bindje se Maqedonia e Veriut pas shumë vështirësive në udhëtimin e saj “së shpejti do të ketë mundësinë të fillojë negociatat zyrtare me BE-në”.

Në fjalën e tij, Solana tha se ai gjithmonë do të mbetet një mik shumë i mirë i Maqedonisë së Veriut. Lidhur me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, ai theksoi se kjo marrëveshje është e një rëndësie të madhe për Maqedoninë e Veriut.

“E di që keni pasur shumë vështirësi në udhëtimin tuaj. Keni pasur vështirësi me zgjidhjen e emrit tuaj, që është zgjidhur. Keni pasur probleme me gjuhën tuaj, që po ashtu është zgjidhur”, tha Solana, duke shprehur bindje se së shpejti “vendi do të ketë mundësinë të fillojë negociatat zyrtare me BE-në“.