Japin dorëheqje 73 deputetë në Parlamentin e Irakut
Gjithsej 73 deputetë nga blloku i liderit shiit Moktada Sadr, formacioni më i rëndësishëm i Parlamentit të Irakut, dhanë dorëheqje mbrëmë për të nxitur formimin e Qeverisë së re, që vendi nuk e ka që nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura vitin e kaluar.
“Ne kemi pranuar me ngurrim kërkesat e dorëheqjes së vëllezërve dhe motrave tona, përfaqësues të bllokut Moktada Sadr”, deklaroi kryetari i Parlamentit Mohamed al-Halbusi.
Sipas shkencëtarit politik irakian Hamzeh Hadad, Parlamenti ende nuk i ka pranuar dorëheqjet me shumicë absolute. Megjithatë, Parlamenti i Irakut është me pushime deri në gusht, ndaj nuk dihet se si do të zhvillohet situata në të ardhmen.
Që nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare në tetor, kur lëvizja Moktada Sadr kryesoi listën, së bashku me një koalicion partish pro-iraniane, ata nuk kanë arritur të bien dakord për një kryeministër.
Parlamenti ka dështuar të organizojë tre herë zgjedhjen e presidentit të vendit që nga fillimi i vitit, që është faza e parë, përpara se të emërohet kryeministri dhe të formohet Qeveria.

