Jankullovska:Ekspertizën në “Fortesa-Target” e ka përgatitur një person pa licencë
Shkup, 7 mars – Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, e dënuar me katër vite burgim nga Gjykata Penale – Shkup, në rastin “Fortesa – Target”, në seancën e sotme publike në Gjykatën e Apelit – Shkup, shfaqi shpresë se një procedurë e tillë para gjykatës së shkallës së parë nuk do të përsëritet.
Ajo tha aktgjykimi për këtë rast është kontradiktor dhe i paargumentuar dhe theksoi se ekspertiza për rastin “Target – Fortesa” është bërë nga një person pa licencë.
“Në këtë kontekst do të përmend të ashtuquajturën ekspertizë, them “të ashtuquajtur” sepse së pari kjo ekspertizë i referohej një elementi kyç të kësaj procedure penale dhe pa të nuk mund të kryhej. Mirëpo, deri në përfundimin e procedurës së provave, ajo formalisht nuk ekzistonte sepse ishte përgatitur nga një person pa licencë, në kundërshtim me Ligjin për procedurë penale dhe në kundërshtim me ligjin për ekspertizë. Kjo e ashtuquajtur ekspertizë në fakt nuk ka qenë ekspertizë, por vlerësim dhe jo nga një vlerësues nga fusha përkatëse”, tha e akuzuara Jankullovska.
Paraprakisht, në fjalën e tij, prokurori publik nga Prokuroria e Lartë Publike – Shkup, Elvin Veli i ka propozuar Gjykatës së Apelit – Shkup që t’i refuzojë të gjitha ankesat e të akuzuarve. Sipas prokurorit Veli, pretendimet e mbrojtjes janë të pabaza.
Gjykata Themelore Penale në Shkup më 26 shkurt 2021 i dënoi të akuzuarit në rastin e përgjimit masiv dhe shkatërrimit të pajisjeve të DSK-së me 55 vjet burgim dhe 10 vjet me kusht.
Ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 12 vjet burgim për veprat penale “bashkëpunim kriminal”, “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”, (vepër penale për të cilën sot u kumtua se ishte i vjetëruar).

