Janë siguruar tre mijë leje të reja ndërkombëtare për transportuesit vendas

Jemi duke e bërë hapin më të madh në sektorin transportues ku transportuesit vendas marrin tre mijë leje të reja ndërkombëtare për transport të mallrave, që është një përfitim i madh për kompanitë transportuese dhe tërë ekonominë vendore, deklaroi sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski në takimin me përfaqësuesit e shoqatave transportuese, Amerit dhe Makam Trans.

Ministri potencoi se me pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Organizatën për bashkëpunim ekonomik në Detin e Zi, krijohen kushte për lehtësimin e transportit rrugor në vendet e rajonit të Detit të Zi.

Siç informoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Boçvarski, u falënderua për bashkëpunimin dhe potencoi se ky është sukses i madh i përbashkët si rezultat i politikave të Qeverisë dhe shoqatave transportuese.

Prej atje theksojnë se bashkëpunimi ekonomik me fqinjët është një prej prioriteteve kyçe të Qeverisë, ndërsa transporti rrugor në shtet merr pjesëmarrje të madhe në krijimin e bruto prodhimit vendor prej rreth 10 për qind dhe prandaj, theksojnë, marrja e këtyre lejeve të reja për transport të mallrave është me rëndësi të madhe.