Janë kthyer në vend shtetasit tanë nga Afganistani, nga atje do të pranojmë 650 civilë
Shkup, 21 gusht – Në aeroportin ndërkombëtar në Shkup, mbrëmë rreth tridhjetë qytetarë tanë të cilët pas evakuimit nga Afganistani u akomoduan në bazën ushtarake të SHBA-së në Doha të Katarit, pas transferimit të suksesshëm nga Stambolli i Turqisë. Siç kanë deklaruar dy prej atyre, ata kanë punuar në bazën ushtarake në afërsi të aeroportit në Kabul dhe janë tërhequr me kohë prej atje së pari në Doha, ku më pas me ndihmën e ambasadorit tonë Shaban Jashari në këtë qytet kanë arritur të largohen për në Stamboll dhe prej atje në Shkup.
“Evakuimi ka kaluar në rregull. Na ka evakuuar ushtria amerikane nga Kabuli në Katar, pastaj më tej ambasadori ynë Shaban Jashari e ka bërë të pamundurën që të na tërheq nga aeroporti ushtarak. Për shkak të koronavirusit kishte procedura tjera administrative dhe në kohë rekord na ka tërhequr në aeroportin e civilëve në Katar nga ku fluturuam për në Stamboll dhe nga Stambolli në Shkup”, ka deklaruar Gazmend Arifi, njëri nga ato që ishte në këtë grup nga tridhjetë persona.
Në Qeveri dje u mbajt takim koordinues me të gjithë faktorët e përfshirë në misionin humanitar ndërkombëtar për shpëtim të popullatës civile paqedashëse nga Afganistani.
“Qeveria deri më tani ka marrë përsipër të pranojë rreth 650 qytetarë, nga Afganistani, popullatë lokale, punonjës, gra dhe fëmijë nga familjet e punonjësve në misionet ndërkombëtare humanitare, demokratike dhe paqeruajtëse, aktivistë nga organizatat për të drejtat e njeriut, gazetarë, përkthyes, studentë, bursistë, si dhe qytetarë që kanë mbështetur forcat aleate të NATO -s në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit, përfshirë edhe armatën maqedonase”, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp pas takimit.
Siç citohet në njoftim, Kryeministri Zaev i informoi pjesëmarrësit se kërkesa e fundit e pranuar për ndihmë për shpëtimin dhe pritjen e qytetarëve iu dha Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) për 15 gazetarë, punonjës të medias dhe familjet e tyre, duke bërë që numri i përgjithshëm i punonjësve të mediave dhe anëtarët e familjeve të tyre që do të strehoen në vendin tonë do të arrijnë mbi 80.
“Vendi ynë dhe shoqëria jonë kanë edhe kapacitetet dhe mënyrën e organizimit dhe një ndjenjë solidariteti shumë të lartë dhe ne të gjithë së bashku do t’u tregojmë miqve demokratë të Afganistanit, dhe të gjithë botës dhe vetes sonë se në situata të tilla krizash humanitare nuk ka asnjë përgjigje tjetër përveç ndihmës së menjëhershme me të gjitha kapacitetet në dispozicion – ne po shpëtojmë një popullsi paqësore që ka ushqyer demokracinë në Afganistan për 20 vjet dhe që ishin ndihmë dhe mbështetje për Ushtrinë tonë në misionet paqeruajtëse atje”, tha kryeministri Zaev.
Shërbimi për shtyp i qeverisë thekson se në takimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, u informua se në këtë moment të gjithë qytetarët maqedonas janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga Afganistani dhe se ata pritet të mbërrijnë shumë shpejt në shtëpi në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Brendshme, nga ana tjetër, deklaroi se ata sigurojnë sigurinë e qytetarëve maqedonas, por edhe të shtetasve afganë që hyjnë në vend për arsye humanitare.
Përfaqësuesit e Kryqit të Kuq në takim prezantuan planet për pranim dhe ndihmë për qytetarët që pritet të mbërrijnë në ditët në vijim. ““Kryqi i Kuq së bashku me organizatat e tjera ndërkombëtare do të sigurojnë informacionin e duhur, përkthimin dhe komunikimin me personat sipas nevojave të tyre, mjetet bazë dhe paketa higjienike, si dhe plotësimin e të gjitha nevojave mjekësore të personave në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe mjetet e komunikimit, aktivitete rekreative dhe aktivitete të tjera për të mbështetur plotësisht njerëzit dhe fëmijët në këtë periudhë”, informuan nga Qeveria.
Kryeministri Zoran Zaev pasditen e sotme pati një takim pune përmes lidhjes videokonferencë me zëvendëssekretaren e Departamentit Amerikan të Shtetit Uendi Sherman, në të cilën morën pjesë aleatë të tjerë dhe përfaqësues të NATO-s. Në takim, kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, u rishikua edhe situate aktuale e sigurisë në Afganistan dhe u konfirmuan mekanizma për evakuimin e popullsisë paqësore që ka ushqyer demokracinë për 20 vjet në Afganistan.
Kryeministri Zaev i informoi aleatët se Maqedonia e Veriut ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe ka përgatitur protokollet me të cilat Qeveria është aktualisht e gatshme të pranojë rreth 650 qytetarë, vendas nga Afganistani, punonjës dhe gra e fëmijë nga familjet e punonjësve humanitarë, demokratikë dhe ndërkombëtarë, të misioneve paqeruajtëse, aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, përkthyesit, studentët, bursistët dhe qytetarët që kanë mbështetur forcat aleate të NATO -s në Afganistan për 20 vitet e fundit, përfshirë edhe Armatën e RMV-së.
Për vendimin e Qeverisë për pranim të përkohshëm të civilëve nga Afganistani dje informoi edhe shefi I diplomacisë, Bujar Osmani në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit Veri-atlantik të NATO-s në nivel të ministrave të punëve të jashtme.
“Në koordinim të ngushtë me aleatët, me sukses evakuuam shtetas tanë në Afganistan, për çka dua të ju falënderoj për ndihmën. Ne ende mendojmë se ky duhet të jetë misioni ynë kryesor, për të siguruar largimin e sigurt të të gjithë qytetarëve tanë nga Afganistani. Evakuimi i stafit lokal afgan dhe familjeve të tyre që kanë punuar me ne në 20 vitet e fundit është po aq i rëndësishëm”, theksoi Osmani.