Ja kur do të vazhdojnë punimet për ndërtimin e objekteve për FINKI-n dhe Fakultetin e Edukatës Fizike në Shkup
Shkup, 20 shtator – Studentët e Informatikës dhe Fakultetit të edukatës fizike do të presin për objektet e reja.
Punimet e kompleksit universitar në Universitetin Shën Kirili e Metodi që 5 vjet janë në ngecje gjegjësisht pas falimentimit të kompanisë “Beton” nga Shtipi, e cila i ka ndërtuar objektet në fjalë.
Ministria përkatëse thotë se ende nuk është zgjedhur kompani që do të vazhdojë të ndërtojë dhe para kësaj do të bëhet revidim i asaj që është punuar deri tani.
“Do të vazhdojë ndërtimi i objekteve për FINKI dhe Fakultetin e Edukatës Fizike në Shkup. Do të bëhet inspektimi i aktiviteteve të deritanishme, vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga neglizhenca e objekteve në vitet e fundit dhe përcaktimi i gjendjes reale në të cilën gjenden ato. Sipas këtyre informacioneve, do të projektohen fondet buxhetore për vitet e ardhshme gjegjësisht për vitet e ardhshme kalendarike dhe do të kryhet procedurë për përzgjedhjen e kompanisë së re ndërtimore që do të përfundojë ndërtimin”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Studentët e FINKI-t, fakultetit me numrin më të madh të studentëve, prej vitesh studiojnë në baraka ku nuk kanë hapësirë të mjaftueshme, andaj lëvizin vazhdimisht në kampuset fqinje. Situata nuk është më e mirë as në Fakultetin e edukatës fizike, pasi në zonën ku ndodhet janë vendosur edhe gjimnazi sportiv dhe akademia sportive.
Për shkak të kësaj, në dhjetor të vitit 2015, në kuadër të projektit “Shkupi 2014”, në kompleksin e USHKM-së, ku janë vendosur Fakultetet e ekonomisë, filozofisë dhe juridikut, për këto fakultete filloi ndërtimi i objekteve të reja, por edhe 9 vite më vonë, studentët mbetën pa objektet e reja.
Për ndërtimin e objekteve, nga buxheti i shtetit janë ndarë gati 20 milionë euro.
Ndërtimi është ndërprerë në vitin 2019 dhe që atëherë e deri më tani, edhe pse janë ndarë mjete buxhetore pikërisht për ndërtimin përfundimtar, në terren nuk është vërejtur asnjë aktivitet ndërtimor.