Ivanovska për zgjedhjet lokale: Ndalohet çdo promovim me para shtetërore

Shkup, 13 gusht – Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit iu bëri thirrje organeve të pushtetit qendror dhe atyre të pushtetit lokal që të respektojnë obligimet që dalin nga kodi zgjedhor.

Në prag të zgjedhjeve lokale, Biljana Ivanovska nga Antikorrupsioni theksoi se të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me fillim apo promovim të projekteve të cilësdo fushe qofshin me para shtetërore janë të ndaluara.

“Në periudhën prej 20 ditëve para fillimit të fushatës zgjedhore dhe deri në përfundimin e zgjedhjeve të kryetarëve të komunave apo anëtareve të këshillit komunal, gjegjësisht deri në konstituimin e Kuvendit të Komunave dhe qytetit të Shkupit nuk mund të mbahen ngjarje publike që kanë synim nisje të ndërtimeve, apo lëshim në përdorim të objekteve të ndërtuara me para nga buxheti i shtetit, nga fonde publike, apo nga mjete nga ndërmarrje publike apo subjekte juridike që disponojnë me kapital shtetëror”, tha Ivanovska.

Institucioneve iu ndalohen edhe konkurset për punësime. Nga KSHK thonë se institucionet edhe përkundër ndalesës, gjejnë mënyra alternative duke shpallur para zgjedhjeve konkurset, ndërsa punësimet i bëjnë pas zgjedhjeve.

“Me vetë shpalljen e konkurseve, ata i vënë në peng ata që presin të punësohen dhe ata mund ti përdorin si një klientelizëm klasik, dmth si sigurim votash, dhe imagjinoni që disa tashmë mund të jenë paraqitur dhe i kanë informacionet e tyre, kush janë ata, cilët janë familjet e tyre dhe ka më shumë hapësirë për dyshime të mëdha, prandaj konsiderojmë që kjo nuk është në frymën e menaxhimit të mirë”, tha Ivanovska.

Nga KSHP thonë se pagesa e subvencioneve nuk është kontestuese pasi janë pagesa të rregullta të parapara gjatë vitit kalendarik. Njoftuan se edhe këtë vit do të rifreskojnë regjistrin e automjeteve të organeve shtetërore, organet e pushtetit lokal dhe ndërmarrjeve publike pasi një gjë e tillë është treguar mjaft efektive në të kaluarën.