ITShKSh, takim në Misionin diplomatik shqiptar në OKB

Shkup, 27 shtator – Stacioni i fundit i turit të ITShKSh-së në SHBA dje ishte Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në OKB-së në Nju Jork. Delegacioni i prirë nga drejtori Skender Asani u prit në selinë e misionit nga Andris Stastoli, Këshilltar dhe koordinator politik për KS të OKB-së. Ndërsa, pjesë e delegacionit ishte edhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit Izmit Nura dhe studiuesit Sevdail Demiri dhe Sefer Tahiri.

ITSHKSH,siç theksohet në kumtesë, mbetet një institucion i hapur, ku nuk do të mungojë edhe shtrirja e aktiviteteve tona edhe në SHBA në vitin e ardhshëm. Stastoli premtoi një mbështetje të Misionit të Shqipërisë në OKB në nxitjen e aktviteteve lobuese pranë intitucioneve të OKB-së, ku ITSHKSH pritet të prezantojë punën e Departamentit për edukimin dhe hulumtimin e Holokausit, dhe në ofrimin e një fotografie më autentike për profilin e panjohur të Gonxhe Bojaxhiut para se ajo të riemërtohej në një emër të madh – Nëna Tereze, me të cilin ITSHKSH tash e një kohë po merret në mënyrë intenzive në kuadër të Deprtamentit për trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.

Andaj edhe në këtë takim Stasolit iu dhuruan disa vepra të botuara nga ITSHKSH e që si objekt studimi kanë pikërisht figurën e Nënës Tereze, siç janë revista kulturore-shkencore “Drita e Gonxhes I”, “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza” e autorëve Skender Asani, Nora Maliqi – Zylali dhe Albert Ramaj, “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze: E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” dhe “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” të dyja të autorit Anton Nikë Berisha, si dhe “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” nga Zef Noka.

Takimi në Misionin e Shqipërisë në OKB pritet të prodhojë një frymë afatgjate bashkëpunimi, ku nuk do të mungojnë idetë dhe projektet që tejkalojnë stereotipet e ngushta etnike, racore e fetare, pikërisht ashtu siç ishte edhe kauza univerzale e Nënës Tereze, e cila u angazhua për një botë të hapur dhe të liruar nga çfarëdo lloj paragjykimi dhe keqkuptimi.

Republika e Shqipërisë prej këtij viti udhëheq me Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.