Ishte kundër vaksinimit, tallej me ata që e merrnin – vdes nga COVID-19 britaniku që refuzoi të vaksinohet
Një burrë që ishte kundër vaksinimit anti-COVID dhe përqeshte njerëzit që përdornin vaksinat që ai i quante “eksperimentale” përmes rrjetit social Facebook, dhe bënte thirrje për teori të ndryshme konspirative duke pretenduar se pas gjithë kësaj fshihet ndonjë kompani e madhe farmaceutike, ka ndërruar jetë si pasojë e coronavirusit – pavarësisht që nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike.
David Parker, 56-vjeç, ishte infektuar disa javë më parë pasi që kishte refuzuar marrjen e vaksinës kundër COVID-19, duke e cilësuar si mashtrim të kompanive farmaceutike – dhe si pasojë e kësaj ka ndërruar jetë në fillim të kësaj jave në një spital në Britani të Madhe, transmeton Telegrafi.
Parker, prej vitesh punonte si menaxher i një klubi të natës në Yorkshire, e vdekja e tij ka shërbyer si “zile” që të gjithë personat që nuk janë vaksinuar – ta bëjnë një gjë të tillë.
Megjithatë ky nuk është rasti i parë, javën e kaluar John Eyers, një baba 42-vjeç që i pëlqente ngjitja nëpër male dhe vazhdimisht merrej me bodybuilding, ndërroi jetë si pasojë e COVID-19, pasi që refuzoi kategorikisht marrjen e vaksinës anti-COVID. /Telegrafi/