Irani ka parashtruar propozime për ripërtëritjen e marrëveshjes bërthamore

Autoritetet iraniane sot kumtuan se me shkrim i kanë dërguar propozimet e tyre përfundimtare për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore me fuqitë e mëdha.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA nuk dha detaje për propozimin, por theksoi se Irani ende nuk pranon ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pavarësisht paralajmërimeve se nuk do të ketë më negociata në atë rast.

Fuqitë e mëdha e presin përgjigjen e Teheranit ndaj propozimit për marrëveshje që më 26 korrik e ka ofruar përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të jashtme dhe Sigurinë, Zhosep Boreli. BE-ja ende nuk e ka konfirmuar se ka marrë propozim nga Irani.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme Hosein Amir-Abdolahian dje deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të lidhë marrëveshje nëse propozimet e tij pranohen. Autoritetet iraniane të premten njoftuan se janë të gatshëm ta pranojnë tekstin përfundimtar për ringjalljen e marrëveshjen në vitin 2015.

Marrëveshja për programin bërthamor të Iranit, emri zyrtar i së cilës është Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua në Vjenë në korrik 2015 nga Irani dhe grupi 5 plus 1, i cili përbëhej nga pesë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të KB-së. (Kina, Franca, Rusia, Britania e Madhe, SHBA-ja) dhe Gjermania, si nënshkruese në emër të BE-së.

Ish-presidenti i SHBA-së Donald Trampi e tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja në vitin 2018 dhe vendosi sanksione ndaj Iranit, ndërsa Irani si përgjigje filloi t’i neglizhojë detyrimet e tij të marrëveshjes.