Irani ende është i gatshëm të punojë me ANEB-in për programin bërthamor

Irani ende është i gatshëm të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), për të hequr dyshimet e agjencisë për natyrën paqësore të programit bërthamor të Teheranit.

“Irani është i gatshëm të bashkëpunojë me ANEB-in për të hequr përshtypjet e rreme për aktivitetet e tij bërthamore në kohë paqeje”, tha zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Naser Kanani.

Deklarata e tij vjen në fillim të mbledhjes së Bordit të guvernatorëve të ANEB që filloi sot në Vjenë.

ANEB paradokohe në një raport deklaroi se “nuk mund të garantojë” se programi bërthamor i Iranit është “ekskluzivisht paqësor”.

Drejtori i përgjithshëm i agjencisë së OKB-së, Rafael Grosi, sot në fillim të takimit deklaroi se ANEB-i është i gatshëm të gjejë një zgjidhje me Iranin.

“Qëllimi ynë nuk është të përkeqësojmë situatën apo të krijojmë probleme, duam vetëm të sqarojmë disa çështje. Është shumë e thjeshtë. Ne gjetëm gjurmë të uraniumit në vende që nuk u raportuan dhe ku nuk duhet të ketë aktivitet bërthamor”, tha Grosi.

Që nga prilli i vitit 2021, Irani është i angazhuar në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja përr ifillimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Në këto bisedime marrin pjesë në mënyrë indirekte edhe SHBA-ja, të cilat janë tërhequr nga marrëveshja.