Inzaghi pas fitores: Nuk mund të kërkonim fillim më të mirë, Calhanoglu nuk e di se sa i mirë është

Simone Inzaghi e pranon se Interi nuk mund të kishte kërkuar një fillim më të mirë të sezonit pasi mposhti Genoan me rezultat 4-0 në ndeshjen e parë të sezonit 2021/22 në Serie A, ndërsa ka lavdëruar mesfushorin Hakan Calhanoglu.

Nerazzurrët patën fillimin ideal të sezonit në rrugën drejt mbrojtjes së titullit, duke e mposhtur thellë Genoan dhe kjo fitore e ka lumturuar trajnerin Inzaghi.

“Isha shumë i bindur se ekipi do të bënte mirë, pasi i kam parë ata duke punuar me entuziazëm dhe uri që nga 8 korriku, të etur për të mësuar koncepte të reja”, ka thënë fillimisht Inzaghi për DAZN.

“Ne nuk mund të kishim kërkuar një fillim më të mirë, veçanërisht para tifozëve tanë të kthyer përsëri në stadium”.

Calhanoglu shënoi një gol dhe asistoi një tjetër, duke u kombinuar mirë edhe me sulmuesin e sapoardhur Edin Dzeko.

“Calhanoglu është një lojtar i madh, i aftë për të bashkuar cilësinë dhe sasinë, ai vrapoi shumë për ekipin gjithashtu. Sa herë që luaja kundër tij, ai më shkaktonte probleme. Ne patëm fatin ta merrnim dhe mendoj se ai mund të bëhet më i fortë, sepse nuk e kupton se sa i mirë është”.

Interi e arriti këtë dominim edhe pa Lautaro Martinezin e pezulluar dhe tashmë dukej shumë më sulmues sesa qasja kundërsulmuese e ekipit të Antonio Contes.

“Ishte argëtuese të shikoje lojën e këtij ekipi. Stefano Sensi nuk ishte në rolin e tij tradicional, por ai po shkonte mirë në stërvitje, më duhej të gjeja një vend diku për të. Ne duhet të vazhdojmë me këtë qëndrim”.

Interi është duke kërkuar një sulmues tjetër, me opsione që variojnë nga Duvan Zapata i Atalantas tek Joaquin Correa i Lazios ose sulmuesi anësor i Borussia Monchengladbach, Marcus Thuram.

“Natyrisht që ne duhet të plotësojmë skuadrën, pasi largimi i Romelu Lukaku ishte i papritur. Dzeko tashmë ka treguar se çfarë lojtari është, shpresojmë se ne do të sjellim dikë tjetër që mund të shënojë gola të mëdha”, përfundoi italiani.