Institucionet të përkushtuara në “Ballkanin e Hapur”, po hiqen barrierat për rrjedhën e lirë
Shkup, 25 shkurt – Në Qeveri sot është mbajtur koordinim ndërsektorial i institucioneve të përfshira në iniciativat dhe projektet që dalin nga nisma “Ballkani i Hapur”.
Koordinatorët nacional Marjan Zabërçanec dhe Nola Ismajloska dhe këshilltari i Kryeministrit për Politikë të Jashtme Edmond Ademi i njohën sekretarët shtetërorë dhe zyrtarët përgjegjës nga ministritë resor dhe drejtorët e agjencive përkatëse shtetërore me të gjitha proceset aktuale dhe të planifikuara vendore dhe ndërkombëtare që dalin.nga bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, ndërsa pjesëmarrësit në takim prezantuan një përmbledhje të punës së bërë dhe rezultateve të arritura deri më tani.
“Është i dukshëm përparimi në zbatimin e marrëveshjes në fushën e lehtësimit doganor për qytetarët dhe kompanitë në bujqësi, veterinari dhe siguri ushqimore, ndërsa në muajt në vijim do të përmirësojmë dhe lehtësojmë fluksin ndërkufitar për qytetarët, automjetet dhe kamionët, ndërsa priten rezultate konkrete që do të çojnë në harmonizimin dhe lehtësimin e taksave mes të tre vendeve, si dhe uljen ose eliminimin e tarifave dhe kostove gjatë rrjedhës ndërkombëtar etë shërbimeve, njerëzve, mallrave apo informacioneve”, informoi Qeveria.
Në takimin e punës, siç theksohet në kumtesë, filloi bashkëpunimi ndërministror në fushën e turizmit, kulturës dhe rinisë ndërmjet institucioneve të Maqedonisë, me qëllim që Maqedonia e Veriut të japë një kontribut serioz në “Ballkanin e Hapur” në drejtim të krijimit të kontakteve, njohjeve, shkëmbimeve dhe iniciativave të përbashkëta mes qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve nga rajoni, nëpërmjet organizimit të eventeve, ofertave turistike, turneve sportive, ngjarjeve kulturore, qendrave kërkimore-shkencore etj.
Takimi i sotëm është shfrytëzuar edhe për koordinim të ndërsjellë të institucioneve në pritje të samitit të radhës të lidershipit të “Ballkanit të Hapur” që do të mbahet në pranverë në Maqedoninë e Veriut.

