Imazhet satelitore tregojnë varrezat në rritje në Mariupol

Imazhet satelitore nga Maxar Technologies shfaqin një varrezë masive në zgjerim, pranë qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupolit, shkruan Sky News të enjten.

Kompania amerikane tha se më shumë se 200 varre të reja ishin shfaqur në vend në javët e fundit, derisa trupat ruse vazhdojnë ta bombardojnë rajonin.

Maxar njoftoi se një rishikim i imazheve nga mesi i marsit deri në mes të prillit tregon se zgjerimi filloi midis 23 dhe 26 marsit.

Vendi i varrezës masive shtrihet ngjitur me një varrezë ekzistuese në fshatin Manhush, 20 kilometra në perëndim të Mariupolit.

Mariupoli, qytet port jugor i Ukrainës, është më i shkatërruari që kur ka nisur pushtimi rus më 24 shkurt.

Qindra mijëra njerëz kanë mbetur të bllokuar në këtë qytet, në pamundësi për t’u evakuuar, derisa shumë prej tyre vuajnë edhe nga mungesa e ushqimit dhe gjërave të tjera elementare.