Ideja e Alternatives e mirë apo e dëmshme për shqiptarët?

Shkup, 27 shkurt – Alternativa është parti shqiptare e cila herë është opozitare e herë në pushtet, varësisht disponimit të partive në pushtet, kur ju duhet e marrin kur nuk ju duhet e dëbojnë. Megjithatë, ajo ka pësuar një goditje të rëndë pasi rrezikoi nga kampi opozitar u fut në Qeveri në emër të integrimit evropian, por jo më gjatë se një vit Kovaçevski i zhveshi nga pozitat dhe i dëboi nga Qeveria, këto të fundit e harruan integrimin evropian. E së fundmi ka dalë me një ide të madhe, që qysh në fillim bie në kundërshtim. Sepse, nga parti të vogla kur burojnë ide të mëdha kuptohet qartazi se është për të marrë vëmendje, sepse janë në gjendje depresive si parti. Ideja e propozuar nga kjo parti e vogël ka të bëjë me formimin të Asociacionit të Komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Kjo ide vjen në kohën kur faktori ndërkombëtar po bën presion për formim të Asociacionit të pakicave serbe në Kosovë. Dhe, nga këtu kuptohet shkurtpamësia e Alternatives që dëshirojnë të barazohet për nga idetë dhe kërkesat me minoritetet e shteteve tjera. Kjo ide e dëmton faktorin shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, sepse shqiptarët këtu janë shtetformues dhe pa shqiptarët nuk ka Qeveri. Ndërkaq, në Kosovë aktualisht Qeveria Kurti nuk është e varur prej serbeve, serbet në Kosovë edhe pse gëzojnë të drejta të plota është pasi shteti i Kosovës është demokratik dhe multietnik. Por, asesi nuk duhet të merret kjo ide me seriozitet sepse e kanë lëshuar në kohën kur nuk janë stabil aspak nga kjo parti pasi ende janë të dëshpëruar pas dëbimit nga Qeveria, shkruan Zhurnal.

Çfarë mendimi kanë partitë tjera për idenë e Alternatives?

Pra, ideja e Alternatives është që edhe Komunat shqiptare në Maqedoninë e Veriut të kërkojnë formimin e një Asociacioni të njëjtë sikurse Komunat e banuara serbe në Kosovë.

“Në kohën kur Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe kur secili diplomat perëndimor që shkon në Prishtinë e përsërit refrenin ‘të bëhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë’, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ka deklaruar Zeqirja Ibrahimi nga partia “Alternativa”.

Kujtojmë që, kjo parti ishte pjesë e Qeverisë me tri ministri, disa zëvendës ministra dhe shumë drejtori, pra, kishte zënë më shumë poste në Qeveri se sa vota që kishte në zgjedhjet e fundit. U dëbua nga Qeveria dhe tani po vetquhen parti opozitare.

Kjo kërkesa për Asociacionin e komunave shqiptare, është refuzuar nga partitë tjera, përveç Lëvizjes Besa, e cila ka thënë se do ta shqyrtojë një propozim të tillë.

Dy partitë kryesore në pushtet, LSDM dhe BDI, hodhën poshtë idenë e Alternatives për të krijuar një “Asociacion të Komunave shqiptare”, duke e vlerësuar atë si të papranueshme dhe kërkesë joserioze.

“Çdo komunë mund të bashkëpunojë në çfarëdo forme, kur gjen interes për një temë të caktuar. Mendojmë se kjo kërkesë është joserioze, është përdorur për të fituar pikë politike dhe në fund të fundit është e papranueshme”, tha deputetja Sanela Shkrijelj nga LSDM.

BDI vlerësoi se propozimi i Alternativës për themelimin e “Asociacionit të Komunave shqiptare” është anti-evropian dhe anti-amerikan dhe është i dëmshëm për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës.

“Patetike, anti-amerikane dhe anti-evropiane, ideja Alternatives është e dëmshme për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Përpjekje e pasuksesshme për të mbijetuar në skenën politike pas fiaskos”, thanë nga BDI.

Ideja e Alterativës është e papranueshme edhe për VMRO DPMNE-në opozitare maqedonase, ku kreu i kësaj partie në një paraqitje për media tha se mjafton Marrëveshja kornizë e Ohrit dhe shtuan se ide të tilla vetëm sa mund të përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, tha se një ide e tillë “mund të përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike” dhe se raportet dhe të drejtat e bashkësive etnike, në veçanti të asaj shqiptare janë të rregulluara me Marrëveshjen e Ohrit.

Reagoi edhe Aleanca për Shqiptarët përmes një kumtese. Propozimin e tillë e vlerësojnë joserioz me tendencë që shqiptarët t’i vendos në trajtim të politikës ditore.

“Shqiptarët jetojnë në vazhdimësi territoriale dhe jo në enklava, në komuna ku shqiptarët janë shumicë absolute, në komuna me shumicë relative e në komuna me përqindje më të ulët. Organizimet politike dhe territoriale që nuk u shërbejnë atyre nuk meritojnë të diskutohen.  Serbët në Kosovë ashtu si shqiptarët në Serbi janë minoritet dhe këto standarde duhet të kenë reciprocitet dhe këtë gjë ne e mbështesim në mënyrë absolute. Madje vlerësojmë se edhe hungarezët dhe boshnjakët e Serbisë duhet të kenë të drejta të tilla.  Shqiptarët në Maqedoni janë 1/3 e popullatës së përgjithshme dhe jo pakicë. Zgjidhjet për mbrojtjen e pakicave të menduara për realitete tjera nuk mund të zbatohen në kontekstin e shoqërisë sonë multietnike dhe demokracisë konsociative”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Megjithatë, Alternativa nga kjo duhet të marrë mësim dhe të jetë e kujdesshme dhe e vëmendshme, për atë se çfarë plason në opinion, sepse siduket nga kjo parti gjithçka që flasin në kafene e në seli të partisë e ndajnë me publikun. Ngjashëm, edhe deputetja e kësaj partie javë më parë shkretoi në Kuvend, duke e përzier edhe familjen Jashari në pazaret e ulëta politike në Maqedoninë e Veriut.

Ideja e fundit është e dëmshme për shqiptarët sepse nga tendenca për tu faktorizuar në nivel nacional, nga kjo parti me këtë ide e zbresin faktorizimin në nivel lokal. /Zhurnal.mk