I rikthehet lavdia Ferrari Dino 246 GT të vitit 1969
Është gjithmonë e trishtueshme të shohësh një veturë të dështuar, e lëre më një Ferrari Dino 246 GT të rrallë dhe legjendar që ishte në një gjendje të dëshpëruar. Megjithatë, falë ekspertëve të Bell Sport & Classic’s, ajo është rikthyer në jetë.
Është një veturë që Ferrari e prezantoi në skenën e Motor Show në Frankfurt në vitin 1969 dhe është e shtata nga vetëm 357 modele të prodhuara 246 GT nga seria L.
Pas panairit në Gjermani, vetura është shfaqur në Francë, Kanada dhe SHBA, por ka kaluar vetëm 86 mijë kilometra. Mirëpo, dukej qartë se pas kësaj nuk u ruajt dhe mirëmbahej dhe ishte afër gjendjes së pakthyeshme. Por Bell Sport & Classic për fat nuk e lejoi.
Ekspertët fillimisht e çmontuan plotësisht veturën, e cila zgjati disa muaj. Panelet e aluminit, dyert dhe komponentët mekanikë u hoqën dhe puna ishte e madhe dhe kërkuese. U konstatua se ndryshku bëri dëme të mëdha, dyert nuk ishin të rreshtuara, ashtu si edhe parafangat. Madje edhe çatia nuk ishte në rregull.
Motori i tij V6 2.4 litra, si dhe frenat dhe pezullimi, u hoqën nga vetura dhe u rivendosën. Pjesët e shpenzuara u zëvendësuan ose riparuan dhe pasi u restauruan, motori u testua dhe zhvilloi 191 kuaj/fuqi.
Trupi është gjithashtu në gjendje të shkëlqyer dhe i llakuar në ngjyrë Rosso Dino, dhe pjesa e brendshme është e veshur me lëkurë të zezë. Kompania e përmendur pretendon se vetura tani është “më e mirë se kur doli nga fabrika”.