Hulumtim në Maqedoni dhe BE: Nuk ka fare përmirësim në integrimin e romëve

Vjenë, 25 tetor – Sipas raportit të publikuar sot nga Agjencia Evropiane për të Drejtat Themelore (FRA), pozita e romëve, me kushte të këqija jetese dhe me perspektiva të pasigurta për arsim dhe punë, nuk është përmirësuar pavarësisht synimeve të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE), në të cilin përveç anëtarëve të Unionit ishin edhe kandidatët për anëtarësim, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Romët kudo “vazhdojnë të përballen me nivele tronditëse të margjinalizimit dhe diskriminimit,” tha në një deklaratë drejtori i FRA Michael O’Flaherty, duke shtuar se politikëbërësit kombëtarë duhet të bëjnë “çdo përpjekje për të luftuar këto situata të patolerueshme”.

Raporti, i bazuar në pothuajse 8,500 dëshmi të romëve në dhjetë vende evropiane, thekson “progresin e pamjaftueshëm dhe shumë të ngadaltë”.

Sipas FRA me seli në Vjenë, 80 për qind e anëtarëve të komunitetit rom jetojnë në varfëri, ndërsa mesatarja për pjesën tjetër të popullsisë së BE-së është rreth 17 për qind. Këto të dhëna ishin të njëjta kur u krye studimi i fundit për këtë temë në vitin 2016, transmeton Zhurnal.

Më shumë se gjysma jetojnë në njësi banimi të lagështa dhe të errëta pa kanalizime adekuate (nga 61 përqind në 2016), dhe 22 përqind nuk kanë ujë të rrjedhshëm (nga 30 përqind gjashtë vjet më parë).

Vetëm 43 për qind e romëve në BE kanë një punë të paguar, ndërsa shkalla mesatare e punësimit në BE është 72 për qind.

Jetëgjatësia për gratë rome është 71 vjet dhe për burrat romë 67 vjet, krahasuar me 82 dhe 76 vjet për popullsinë e përgjithshme në BE.

Sa i përket arsimit, shifrat janë dramatike pasi 71 për qind e të rinjve romë largohen herët nga sistemi arsimor, ndërsa mesatarja është vetëm 10 për qind në mesin e 18-24 vjeçarëve në BE.

Raporti bazohet në të dhënat e mbledhura nga FRA gjatë vitit 2021 në anëtarët e BE-së – Kroacia, Republika Çeke, Greqia, Hungaria, Italia, Portugalia, Rumania, Spanja, si dhe në dy vendet kandidate Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në Bullgari dhe Sllovaki, të dhënat u mblodhën nga autoritetet kombëtare me mbështetjen e FRA./Zhurnal.mk