Hulumtim: 62,7% e nxënësve konsiderojnë se dhuna është vazhdimisht e pranishme në shkolla

Shkup, 6 shtator – Rreth 62.7 për qind e nxënësve konfirmojnë se dhuna është shpesh ose vazhdimisht e pranishme në mjedisin shkollor. Pjesa më e madhe e tyre e njohin dhunën fizike që në masë të madhe është e dukshme.

Sipas nxënësve, në përqindje të lartë është e pranishme dhuna psikologjike dhe kibernetike, tregojnë gjetjet e hulumtimit të organizatës tink- tenk “Analitika” të realizuar sipas ekzemplarit reprezentativ prej 305 nxënësve nga tre shkolla të mesme të Shkupit me përbërje të përzier etnike “Zdravko Cvetkovski”, “Zef Lush Marku” dhe “Shaip Jusuf”.

“Gjetjet e hulumtimit japin një pasqyrë shkatërruese për atë se sa dhe në ç’formë paraqitet dhuna. Rreth 70 për qind e nxënësve janë dëshmitarë të sjelljes së dhunshme në shkollat e tyre, por nuk e denoncojnë për një sërë arsyesh, mes saj edhe mosnjohurinë se kë të lajmërojnë apo paraqesin apo të mbeten lajmërues anonim”, shkruan “Analitika”.

Në pyetjen “A mendoni se mësimdhënësit i kushtojnë kohë të mjaftueshme edukimit të nxënësve në parandalimin dhe përballjen me dhunën”, një përqindje e lartë, pra 82.3 për qind e nxënësve janë përgjigjur se kuadri mësimdhënës i kushton më së shumti kohë këtij lloji të edukimit.

Pothuajse në të gjitha shkollat ​​ekziston kod i sjelljes si dhe kod për veprim në rast dhune. Megjithatë, thekson “Analitika”, ajo nuk njihet apo prezantohet para nxënësve ashtu siç duhet.

“Tek 43 për qind e nxënësve dominon përgjigja se dhuna më shpesh ndalohet nga ana e mësimdhënësve në shkollë, që tregon në rëndësinë e rolit të kuadrit mësimdhënës në krijimin e një mjedisi të sigurt shkollor”, thuhet në hulumtim.

Bojana Mijoviq-Hristovska nga “Analitika” thotë se konform hulumtimit, 83.6 për qind tregojnë se vajzat janë viktima më të shpeshta të dhunës gjinore në shkolla.

“Dhuna në bazë gjinore si dhe barazia gjinore ende paraqesin një nga temat më urgjente në komunitetin tonë, përfshirë edhe shkollat. Kur flasim për shoqërinë tonë, mund të shtojmë edhe se dhuna në bazë gjinore trajtohet si temë tabu, mungon edukimi, si dhe ndihmë dhe mbështetje për vajzat e reja”, thotë Mijoviq-Hristovska.

Tamara Mijoviq-Spasova nga “Analitika” konsideron se për të parandaluar sjelljen e dhunshme të nxënësve, veçanërisht e rëndësishme është bashkëpunimi i vazhdueshëm midis prindërve dhe shkollave.

Nga “Analitika” theksojnë se sistemi arsimor, pra shkollat, janë jashtëzakonisht të rëndësishme në procesin e njohjes dhe paraqitjes së rasteve të dhunës, me ç’rast më herët mund të zbulohet dhuna ndaj fëmijëve me qëllim parandalimin e saj.

Është e rëndësishme, madje siç theksohet, “të vendoset një i raport i hapur dhe i drejtë mes nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve pasi ajo ndihmon në uljen e dhunës në shkolla”.

Hulumtimi është realizuar në kuadër të projektit “Zhvillimi i kulturës së paqes dhe parandalimit të dhunës si vlera themelore në sistemin arsimor në Republikën e Maqedonisë së Veriut” të cilën e implementon “Analitika” – Shkup me mbështetje financiare nga ambasada e Kanadasë në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.