HIPOTEZË LIRIE

Poezi nga: Mario Ramous
Përktheu: Maksim Rakipaj

Çdo paralajmërim për vendosje rendi
është tregues i marrëzisë së thellë
që vë në rresht 99% prej nesh
(gjë që përputhet vetëm me një hipotezë lirie);
rrini të qetë, unë s’dua t’ia di:
mirë a keq, shteti
për nga natyra e tij është organ dhune,
bazuar në paftyrësinë e atyre që përfitojnë prej saj,
sepse brenda saj fshihet, me ca ujdisje të vogla, sigurisht,
mundësia që ka pushteti
të na bëjë të besojmë në një drejtësi të papërsosur,
gjithsesi nën mbrojtjen e errësirës së hyjnores,
e ngjashme me tiparet e pamjen e saj
dhe sipas kodit gjenetik të mbijetesës:
shto këtu dhe mashtrimin e zakonshëm
të pjesëmarrjes në vendime,
një lojë kjo pafundsisht e mbrapshtë.