Henry Kissinger: Ukraina të heq dorë nga pjesë të territorit që të arrijë paqe me Rusinë
Ish-sekretari i shtetit Henry Kissinger ka thënë se Ukraina duhet të pranojë të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë dhe t’i japë fund luftës tashmë tre mujore.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos, Zvicër, të hënën, 98-vjeçari Kissinger tha se dështimi për të rifilluar negociatat me Rusinë dhe vazhdimi i antagonizimit të Moskës mund të ketë pasoja katastrofike për stabilitetin e Europës në afat të gjatë.
“Negociatat duhet të fillojnë në dy muajt e ardhshëm përpara se të krijojë trazira dhe tensione që nuk do të kapërcehen lehtë,” tha ai.
“Idealisht, vija ndarëse duhet të jetë një kthim në status quo ante. Ndjekja e luftës përtej kësaj pike nuk do të kishte të bënte me lirinë e Ukrainës, por një luftë të re kundër vetë Rusisë.”
Kissinger, i cili shërbeu nën administratat e Richard Nixon dhe Gerald Ford në vitet 1970, paralajmëroi kundër zvarritjes së luftës dhe bëri presion për negociata.
Ish-sekretari i shtetit tha se Rusia ka qenë një pjesë thelbësore e Europës për 400 vjet, duke vepruar si fuqi balancuese në periudha kritike për kontinentin. Kissinger tha se vendet perëndimore duhet të kujtojnë rëndësinë e Rusisë në Europë dhe të mos përfshihen “në humorin e momentit”.

