Haxhizadeh: Irani ka zhvilluar raketën e parë balistike hipersonike
Irani pretendon se forcat e tij ajrore kanë prodhuar raketën e parë balistike hipersonike të aftë për të depërtuar në sistemet e sofistikuara të mbrojtjes ajrore, konfirmoi komandanti Amir Ali Haxhizadeh për mediat iraniane, raportoi agjencia Tasnim.
Haxhizadeh tha se raketa balistike arrin shpejtësi të mëdha dhe mund të fluturojë nën dhe mbi atmosferën e Tokës.
“Mendoj se për dekada nuk do të ketë një teknologji që do ta kundërshtojë atë”, tha ai.
Haxhizadeh theksoi se raketa e re është krijuar për të shkatërruar sistemet antiraketë të armikut. Sipas tij, zhvillimi i armëve të tilla është një hap i madh në prodhimin e raketave.
Raketat hipersonike janë ndër armët më të fuqishme që ekzistojnë. Ata mund të godasin objektivat në çdo distancë në Tokë brenda një ore dhe të ndryshojnë trajektoren gjatë fluturimit. Aktualisht, SHBA-ja, Rusia dhe Kina kanë armë të tilla dhe Rusia ishte e vetmja që i përdori ato në luftime, dhe kjo ishte në Ukrainë.
Australia, India, Franca, Gjermania dhe Japonia po zhvillojnë teknologjinë e armëve hipersonike, ndërsa Irani, Izraeli dhe Koreja e Jugut gjithashtu kanë njoftuar më parë se armë të tilla janë në fazën e kërkimit dhe zhvillimit.

