Hapja e klubit kulturor bullgar “Mbreti Borisi i tretë” në Ohër shkaktoi reagime publike

Ohër, 7 tetor – Në Ohër sot është paralajmëruar se do të hapet klubi kulturor “Mbreti Borisi i Tretë”. Klubi, sipas paralajmërimeve, duhet të hapet në orën 12.

Hapja e klubit shkaktoi reagime në publik, ndërsa për sot partia politike E majta paralajmëroi protestë me fillim në orën 11:30.

Edhe lideri i partisë më të madhe opozitare Hristian Mickoski dje bëri thirrje që “masivisht të dilet në protestë”, por që ajo të jetë e qetë, demokratike dhe pa incidente që, siç tha, “të mos u jepet alibi atyre që janë shkaktarët që Maqedonia të jetë në këtë situatë”.

“Protesta është e drejtë demokratike dhe duhet të protestohet, por bëj thirrje që ajo të jetë paqësore që të mos lejojmë sërish të tentojnë në ngjarje të tilla ata të cilët e futën Maqedoninë në këtë situatë, ai është koalicioni LSDM dhe BDI. Bëj thirrje që qytetarët masivisht të dalin dhe ta mbështesin protestën, por në të njëjtën kohë apeloj që ajo të jetë e qetë dhe demokratike dhe të mos lejojmë asnjë incident ta defokusojë opinionin nga problemet reale, ato janë inflacioni, krimi, korrupsioni, kiza energjetike dhe financiare dhe shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohet sot Maqedonia”, deklaroi Mickoski.

Deputetja nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Rashella Mizrahi dje në Fejsbuk njoftoi se grupi i tyre parlamentar sot në Kuvend do të dorëzojë Propozim-ligj për ndryshim të Ligjit për Shoqatat dhe Fondacionet.

Reagime sot ka edhe nga Partia Socialiste e Maqedonisë, sipas të cilës, hapja e klubit bullgar “Mbreti Borisi i Tretë” në Ohër është “vazhdimi i nënçmimit dhe poshtërimit të popullit maqedonas dhe të qytetarëve me leje dhe pajtueshmëri të pushtetit”.

Ministria e Punëve të Jashtme dje ju bëri thirrje qytetarëve të cilët do të dalin në protestë të shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë dinjitoze dhe paqësore dhe të përmbahen nga përpjekjet për keqpërdorim të drejtave dhe lirive të tyre, veçanërisht të shmangin përdorimin e provokimeve dhe mohimin e të drejtave dhe lirive të tjerëve.

“Maqedonia e Veriut, si vend demokratik në të cilin liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit janë ngritur në nivelin e vlerës themelore të Kushtetutës dhe të shtetësisë, do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve për t’u shprehur, kujdesur dhe zhvilluar identitetin e tyre etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar, si dhe lirinë e besimit, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit”, citon MPJ-ja.

Para tre ditëve u formua organi këshillimor i cili duhet të japë mendime rreth karakterit të personaliteteve historike të cilat duhet të jenë pjesë përbërëse e ndonjë shoqate ose fondacioni, me qëllim që të shmanget keqpërdorimi i personaliteteve të caktuara të cilët kanë kontekst negativ përgjatë epokave të ndryshme.

Më parë, ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski në pyetjen se a do të lejojë që të hapet klubi në Ohër pa qëndrim të organit këshillimor, tha se paralajmërimet janë të tilla, por se si Ministri nuk kanë kurrfarë ingerenca, sepse ai është komision qeveritar