Haaland ka një klauzolë të ulët largimi nga City e ngjashme me atë që kishte në Dortmund

Erling Haaland është përforcimi i parë i Manchester Cityt për edicionin e ardhshëm 2022/23.

Sulmuesi norvegjez ditë më parë u zyrtarizuar nga kampioni në fuqi i Anglisë që aktivizoi klauzolën e tij prej 75 milionë euro për ta transferuar në Etihad Stadium.

City fitoi garën me shumë skuadra të mëdha si Bayern Munich, Paris Saint Germain, Real Madrid, Manchester Unied, Chelsea e Barcelona për transferimin e norvegjezit.

Megjithatë gazeta gjermane Sport Bild ka zbuluar se Haaland ka një klauzolë largimi edhe nga City, të ngjashme siç e kishte në Borussia Dortmund.

Gjithnjë sipas mediumit gjerman, Haaland ka një klauzolë largimi nga City prej 150 milionë eurove, që konsiderohet shumë e ulët duke marrë parasysh çmimet që po sillen aktualisht në tregun evropian.

Por kjo klauzolë largimi do të aktivizohet vetëm pas dy vitesh, në verën e vitit 2024.

Duke marrë parasysh klauzolën që ka norvegjezi në kontratë, atëherë pritet që në verën e vitit 2024 të jetë një luftë e madhe nga klubet e mëdha për t’i siguruar shërbimet e tij.

21-vjeçari ka pasur një vit të jashtëzakonshëm te Dortmund, ku në 29 ndeshje zyrtare ka shënuar 28 gola e ka asistuar në tetë të tjerë.