Guvernatori që ishte kundër heqjes së pronës private në Shqipërinë komuniste
“Jo dhunës ndaj pronës private!” Apeli zyrtar i Konstantin Boshnjakut (1888-1953), kreut të porsazgjedhur të Bankës së Shtetit, i kundërvihej kështu modelit stalinist të ekonomisë ofruar nga fituesit e zgjedhjeve të para të pasluftës, madje me zë të lartë. Bashkë me kundërshtitë për reformat arbitrare, ai adresonte për Enver Hoxhën dhe qeveritarët komunistë alternativën e ekonomisë së tregut dhe të iniciativës së lirë. Në promemorien e panjohur të 22 dhjetorit 1945, ish-guvernatori i Bankës shprehet qartë e prerë: Pa iniciativën private, pa sektor privat, pa punën e tërë popullit, nuk ka prodhim, nuk ka rindërtim, as ndërtim, dhe as përparim të ekonomisë. I bindur në argumentin e vet, por edhe për pasojat e përplasjes, Boshnjaku nuk hezitonte ta çonte deri në fund kritikën ndaj diletantizmit që kishte rrëmbyer politikën e Enver Hoxhës me përpjekjet donkishoteske për të kapërcyer arbitrarisht prapambetjen e trashëguar e për t’u futur në rrugën e një ekonomie pa pronë private.
Në shtjellimin e mëtejshëm, zyrtari i lartë, duke shqyrtuar me kthjelltësi arsyet pse nuk duhet fetishizuar rëndësia e sektorit shtetëror, tërheq vëmendjen për të mos ngritur artificialisht rolin e tij, “mbasi kjo do ta bënte parazitar, ca më tepër që sektori shtetëror përbëhet nga pjesë të trashëgimisë të lëna nga Italia dhe jo nga realizime të zhvillimit gradual të ekonomisë, e cila gjendet në fazën e saj primitive”. Me merakun e intelektualit profesionist, Boshnjaku hedh idenë e rëndësisë së rolit të ekonomistëve kompetentë dhe të përparësisë së tyre mbi politikanët e ideologët në strukturat e angazhuara me përpunimin e strategjisë ekonomike.
Po çfarë përmban tjetër promemoria e dhjetorit ‘45, kush është profili i autorit dhe çfarë ndodhi me të pas adresimit të saj te Enver Hoxha dhe ministrat e tjerë të qeverisë së parë komuniste …

