Guteresh dënoi lakminë e kompanive të naftës dhe gazit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guteresh ka kritikuar “lakminë” e kompanive të naftës dhe gazit për përfitime rekorde nga kriza energjetike në kurriz të njerëzve më të varfër në botë.

Ai theksoi se është “imorale” që kompanitë më të mëdha energjetike në tremujorin e parë të vitit realizuan një fitim të kombinuar prej afërsisht 100 miliardë dollarësh.

Guteresh u bëri thirrje të gjitha qeverive që të tatimojnë këto fitime të tepërta dhe të përdorin fondet tatimore “për të mbështetur klasat sociale më të cenueshme në këto kohë të vështira”.

Sekretari i Përgjithshëm i KB-së prezantoi gjithashtu raportin e Grupit Global të Reagimit ndaj Krizave, të cilin ai e themeloi për t’u marrë me tre kriza globale të ndërlidhura – ushqimin, energjinë dhe financat, të cilat kanë prekur veçanërisht vendet që përpiqen të rikuperohen nga pandemia Kovid-19 dhe të ballafaqohen me pasojat katastrofike të luftës në Ukrainë.