Guardiola: Nëse humbim dy pikë, Liverpooli do të jetë kampion i Ligës Premier

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola beson se skuadra e tij nuk ka vend për gabime në garën për titull këtë sezon në Ligën Premier, pasi duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura.

Qytetarët iu përgjigjën fitores së Liverpoolit ndaj Manchester United të martën, duke mposhtur Brightonin me rezultat të pastër 3-0 në shtëpi të mërkurën.

Rezultati do të thotë që City është ende në krye të tabelës, me gjashtë ndeshje deri në fund, por Guardiola është i vetëdijshëm që Liverpooli po pret gabimin e tyre.

Ai foli pas ndeshjes për garën për titull, teksa tregoi se ekipi i tij nuk duhet të gabojë as edhe një ndeshje.

“Ndjenja sot është se tani matematikisht do të luajmë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë fillimisht Guardiola për BBC.

“Njerëzit mund të thonë se është normale, por nuk është. Duhet të shikoni vetëm skuadrat e pabesueshme që luftojnë për të hyrë në Ligën e Kampionëve”.

“Tani për Ligën Premier, ne nuk jemi budallenj. Nëse humbim vetëm dy pikë, Liverpooli do të jetë kampion”.

“Nëse fitojmë të gjitha ndeshjet, do të jemi kampionë. Lojtarët e dinë këtë. Ne i dimë ndeshjet e vështira që kemi dhe duhet të përpiqemi të luajmë si sot dhe të fitojmë të gjitha ndeshjet”.

“Nëse e bëjmë këtë, do të festojmë, nëse jo, do të urojmë Liverpoolin”, përfundoi trajneri i Cityt.