Grubi përballet me shkarkim nga Universiteti i Tetovës për mungesë të paarsyeshme
Shkup, 7 janar – Universiteti i Tetovës ka nisur procedurën ligjore për shkarkimin nga puna të Artan Grubit, i cili mban vendin e punës asistent profesor në Fakultetin Juridik, drejtimi i Gazetarisë. Sipas Safet Emrulit, dekan në Fakultetin Juridik, Artan Grubi, kishte pezulluar vendin e tij të punës shkaku i ushtrimit të funksionit publik edhe atë deri në muajin gusht të këtij viti, kur edhe është kthyer në punë, megjithatë, mungesa prej disa ditësh e tij pa dhënë sqarim nënkupton marrjen e masave ndaj tij.
“Prej javës së kaluar, personi i apostrofuar, nuk është paraqitur në vendin e punës që d.m.th nuk i ka përmbushur detyrimet që i ka nga Ligji për marrëdhënie pune dhe Ligji për arsimin e lartë. Ne kemi proceduar rastin sipas dispozitave ligjore dhe kemi nisur procedurën për masa adekuate sipas ligjit. Shumë shpejt do të njoftoheni për vendimin që do sjellim si universitet”, tha Safet Emrulit, dekan në Fakultetin Juridik.

