Gruaja e paralizuar shkruan emrin e saj pas 20 vitesh, duke përdorur çipin e trurit Neuralink të Elon Musk

Një grua e paralizuar thuhet se ka shkruar emrin e saj për herë të parë në 20 vjet duke përdorur vetëm mendjen e saj.

Audrey Crews është një nga pjesëmarrëset në testin e Neuralink të Elon Musk, pasi i është instaluar një çip kompjuteri në trurin e saj, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Çipi, ose ndërfaqja tru-kompjuter (BCI) siç e quan Neuralink, lidh trurin e Crews me një kompjuter dhe i lejon asaj të kontrollojë mausin në ekran.

Crews humbi lëvizjen në moshën 16 vjeçe dhe është gruaja e parë që bëri implantin.

Duke ndarë momentin në X (më parë Twitter), Crews postoi: “U përpoqa të shkruaja emrin tim për herë të parë në 20 vjet. Po punoj për këtë. Lol #Neuralink”.

Dhe me një të shkruar “të dridhur” në ekranin e laptopit të saj është fjala ‘Audrey’.

Musk, bashkëthemelues i Neuralink, iu përgjigj postimit, duke thënë: “Ajo po e kontrollon kompjuterin e saj vetëm duke menduar. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se është e mundur”.

Ndërsa Crews e përshkroi atë si “si të shkruash emrin tënd në kokën tënde”.

Ndërsa Musk shpreson që teknologjia një ditë do të përdoret për të ndihmuar tetraplegjikët të ecin përsëri, kompania është ende larg këtij rezultati përfundimtar.

Crews është një nga shtatë pacientët e paralizuar që po i nënshtrohen fazës testuese.