Grkovska: Ndajmë përvoja pozitive në luftën kundër korrupsionit me kolegët nga Bullgaria
Shkup, 18 mars – Zëvendëskryetarja e Qeverisë përgjegjëse për Politika për Qeverisje të Mirë, Sllavica Grkovska, sot kishte takim pune me zëvendëskryeministren për Qeverisje të Mirë të Bullgarisë, Kalina Konstantinova dhe ministren e Drejtësisë, Nadezhda Jordanova, në të cilën ishte prezantuar përvoja e Maqedonisë së Veriut rreth formimit të Komisionit Shtetëror të pavarur dhe profesional për Parandalimin e Korrupsionit.
Në takimin, që ishte mbajtur në format hibrid, kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Drejtësisë nga Maqedonia e Veriut, Agim Nuhiu, si dhe anëtarët dhe kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska, e cila më hollësisht e prezantoi punën e Komisionit Antikorrupsion.
Zëvendëskryeministrja Grkovska ka vlerësuar se ky takim është pjesë e bashkëpunimit me Republikën e Bullgarisë në kuadër të Grupit të punës për integrim evropian dhe politika të gjelbra, e cila ofron mundësi të shkëlqyer për të dyja vendet që t’i shkëmbejnë përvojat pozitive në sfera të caktuara.
“Ky takim doli nga biseda të cilën e kisha me ministren Jordanova e cila shfaqi interesim që të njoftohet nga afër me përvojën tonë pozitive rreth formimit dhe sigurimit të pavarësisë së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit duke pasur parasysh atë që Bullgaria përballet me sfida në këtë sferë”, ka theksuar zëvendëskryetarja e Qeverisë, Grkovska ,thuhet në kumtesën e Sektorit qeveritar për Marrëdhënie me Publikun.
Ministrja Jordanova ka theksuar se Qeveria bullgare për momentin punon në këtë rregullativë të re ligjore me qëllim që të përforcohet lufta antikorruptive, sepse për momentin përkushtimi institucional nuk po jep rezultate konkrete.
“Punojmë në legjislacion të ri që të përforcohet komisioni antikorrupsion, me çka do të përforcohet lufta kundër korrupsionit dhe për këtë është mirë që ta dëgjojmë përvojën e Maqedonisë së Veriut në këtë segment”, ka theksuar Jordanova.
Zëvendësministri Nuhiu ka theksuar se me Ligjin e ri për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, nga janari i vitit 2019 janë përforcuar kriteret për zgjedhje të përbërjes së KSHPK-së, është përcaktuar procesi transparent i përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit, ndërsa janë të inkorporuar edhe rekomandime të tjera të mara nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Kryetarja e KSHPK-së Ivanovska ka theksuar se janë siguruar kushte për Komision të pavarur, profesional për Antikorrupsion me kompetenca të rritura.
Në kuadër të diskutimit, theksohet në kumtesë, ekipet e të dyja shteteve kanë shkëmbyer mendime edhe në pjesën e rregullativës ligjore për konfiskim dhe origjinë të pasurisë, kontrollim të integritetit, gjegjësisht vetingu, kontrolli i pasurisë, si dhe për çështje të tjera të cilat janë në interes për përforcim të politikave dhe praktikave në antikorrupsion.

