Grkovska – Duxhak: Politikat e sundimit të mirë janë bazë për digjitalizimin dhe reformat e vazhdueshme dhe afatgjate

Shkup, 1 shkurt – Zëvendësja e kryetarit të Qeverisë përgjegjëse për Politika për Sundim të Mirë, Sllavica Grkovska sot realizoi takim me koordinatoren e përhershme të Kombeve të Bashkuara (KB) në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Rosana Duxhak.

Siç bënë të ditur nga Kabineti i zëvendëskryeministres, Grkovska e ka informuar Duxhak për aktivitetet që ndërmerren dhe për planet e ardhshme që janë në drejtim të përcaktimit dhe përkushtimit strategjik të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për krijimin e politikave për sundim të mirë të cilat duhet të jenë bazë e digjitalizimit të proceseve dhe funksionim efikas dhe transparent të institucioneve.

Duxhak zëvendëskryeministres Grkovska ia ka uruar marrjen e detyrës së re dhe i ka dëshiruar mandat të suksesshëm, duke theksuar se mbështetja nga KB mbetet si vazhdimësi në zbatimin e reformave të planifikuara.

“Grkovska dhe Duxhak u pajtuan për rëndësinë e jashtëzakonshme të sundimit të mirë që është një nga shtyllat me interes të KB-së, duke pasur parasysh se të paktën dhjetë agjenci të KB e kanë si fokus të aktiviteteve dhe shprehën gatishmëri për intensifikimin e bashkëpunimit në këtë drejtim”, thuhet në kumtesë.