Grifits: Konvoji i ri i KB-së për evakuim është rrugës për në Azovstal

Konvoj i ri humanitar i KB-së është rrugës për në fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin e rrënuar ukrainas Mariupol. Shefi i ndihmës humanitare të KB-së, Martin Grifits konfirmoi se duan t’i evakuojnë civilët nga fabrika e çelikut.

Të dielën qindra  civilë ishin evakuuar nga Azovstal, ukrainasit thonë se vazhdojnë luftërat në Azovstal edhe krahas premtimit të Rusisë për ndërprerje treditëshe të zjarrit.

“Konvoji i KB-së duhet të arrijë në Azovstal nesër në mëngjes dhe t’i marrë civilët të cilët ende janë në atë ferr dhe t’i dërgojë në vend të sigurt”, tha Grifits në konferencën donatore për Ukrainën sot në Varshavë.