Greva është pezulluar nuk ka mbaruar, por si do të kompensohen ditët e humbura për nxënësit?

Shkup, 5 maj – Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SAShK) në Maqedoninë e Veriut më 11 prill filloi grevën në çerdhe, shkollat fillore dhe të mesme. Ishte koha kur të gjithë sindikata ishin revoltuar dhe kërkonin rritje të pagave, konkretisht harmonizim me pagat minimale. Por kjo grevë e pezulluar edhe nëse përfundon, humbja e mësimit për nxënësit nuk duhet të vazhdojë, ato ditë të humbura gjithsesi që duhet të zëvendësohen me përpikëri, shkruan Zhurnal.

Greva është e drejt demokratike e garantuar edhe me kushtetutë, për të shprehur pakënaqësi që kanë të bëjnë me trajtimin e shtetit kundrejt punëtorëve pavarësisht të cilit sektor janë. Dhe këtë të drejtë Sindikata e Arsimit e vuri në zbatim pikërisht për ngritjen e ndërgjegjësimit dhe seriozitetit të institucioneve përkatëse të shtetit Ministrisë së Arsimit duke kërkuar paga të dinjitetshme për mësimdhënësit.

Në vendet evropiane janë mësimdhënësit ata që paguhen më mirë e vlerësohen më shumë, prandaj edhe progresi i tyre ekonomik e social është në nivel të dëshirueshëm e lakmueshëm edhe për qytetarët tanë, e kjo dëshmohet me faktin që pjesa më e madhe e të rinjve dëshirojnë të jetojnë në ndonjërin prej vendeve evropiane e jo në vendlindjen e tyre, këtu në Maqedoninë e Veriut.

A meritojnë mësimdhënësit paga më të larta?, është pyetje që nuk duhet parashtruar fare për faktin se është më së i nevojshëm stimulimi për punë me vullnet që pastaj të ketë rezultate më të mira që sigurisht janë në dobi të së ardhmes së vendit.

Ndryshe, më 28 prill Sindikata kishte vendosur që të pezullojë grevën në institucionet edukativo-arsimore me qëllim që t’i jep hapësirë Qeverisë për negociata 10 deri 20 ditë.

Në rast se nuk ka zgjidhje të problemit në këtë periudhë nga Ministria për Arsim dhe Shkencë (MASH) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale (MPPS), Sindikata paralajmëroi që përsëri do të aktivizohet greva.

SASHK-u e filloi grevën më 11 prill me kërkesë për rritje të pagave dhe disa kërkesa tjera. Në periudhën e grevës, mësimdhënësit kanë refuzuar dy oferta të Qeverisë, fillimisht rritjen e pagës për 10 përqind, pastaj 12 përqind, sepse kërkesa e tyre është rritje të pagave për 18%.

Sindikata e Arsimit ka njoftuar se kanë mbaruar bisedimet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në lidhje me pagat e mësimdhënësve dhe kërkesat tjera të parashtruara para fillimit të grevës.

“Mbaroi xhiro e sotme e bisedimeve me MASH-in, nën kujdesin e një pajtues. Gjithë çështjet që janë hapur, në bazë të kërkesave tona, janë diskutuar, analizuar, argumentuar nga të dy palët. Bisedimet vazhdojnë të premten, kur presim edhe përgjigje konkrete për propozimet tona”, deklarojnë nga Sindikata.

Por ajo që është më shqetësuese e dëmshme janë humbjet e ditëve të mësimit nga të cilat kanë pësuar vetëm nxënësit, dhe ende nuk dihet përfundimisht se si do të zëvendësohen këto ditë të humbura. Drejtorët e shkollave ende nuk janë të informuar se si do të veprojnë në lidhje me kompensimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës.

Ndonëse ende nuk ka vendim definitiv, burime pranë Ministrisë së Arsimit thonë se mësimi do të vazhdojë edhe pas 10 qershorit për t’i kompensuar të gjitha ditët e humbura nga greva. Opsioni tjetër është të punohen disa të shtuna deri në fund të gjysmëvjetorit të dytë dhe ditët e ngelura përsëri pas 10 qershorit, kur nxënësit duhet të lirohen në pushim veror.

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, para disa ditëve i tha SASHK-ut që të gjejë zgjidhje për këtë çështje duke i fajësuar ata për ditët e humbura të mësimit.

Njëherë dëmtohen e pastaj kërkohet zgjidhje për kurim të dëmtimit, duke ia hedhur njëri tjetrin fajit, pra në një situatë të tillë palën dëmtuese e dimë e kemi të qartë janë nxënësit, ndërkaq fajtori mbetet jetim sepse askush nuk e pranon fajin për këtë humbje të nxënsëve.

Periudha e pandemisë ishte me pasoja shumë të rënda krahas shëndetësisë e ekonomisë edhe për arsimin, për faktin që mësimi konvencional kaloi në atë virtual. Mungesa e mjeteve digjitale si dhe mungesa e përgatitjes e përvojës së nevojshme për mësimdhënësit në realizimin e mësimit nuk rezultoi aspak e suksesshme kjo periudhë. Madje konsiderohet se pasojat më të mëdha do të jenë viteve në vijim.

Pra, nxënësit humbën mjaftë nga pandemia tani është koha dhe momenti që ata duhet të bëjnë punë të dyfishtë që të kthehen në normalitet e asesi të humbin edhe më shumë. Çdo orë e humbur duhet të zëvendësohet e mos të shndërrohen nxënësit në instrumente për realizim qëllimesh, pasi përveç që nuk është normale është edhe shumë e dëmshme.

Kujtojmë se, Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin parashkollor janë të punësuar rreth 4,500 persona, rreth 20,000 në arsimin fillor dhe afër 8,000 në arsimin e mesëm.

Paga mesatare e mësimdhënësve në arsimin fillor arrin 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro). /Zhurnal.mk