Greqia propozon formimin e fondit evropian për përballje me çmimet e larta të gazit natyror

Formimin e një fondi evropian në vlerë prej 80 miliardë euro për përballje me pasojat nga çmimet e larta të gazit natyror, propozon Greqia, përmes letrës dërguar nënkryetarit ekzekutiv të KE-së përgjegjës për marrëveshjen e gjelbër evropiane, Frans Timermans dhe komisarit të energjetikës, Kadri Simson, dërguar nga ministri i Mjedisit Jetësor dhe Energjisë, Kostas Skrejas, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në vigjilje të mbledhjes së jashtëzakonshme të premten të ministrave të Energjetikës së Unionit, Skrekas në letër propozon vendosjen e një takse speciale prej dhjetë euro për megavat orë termike për kompanitë evropiane për prodhimin e energjisë elektrike për sasitë e gazit natyror që përdoren vetëm për prodhimtarinë e energjisë elektrike, ndërsa këto mjete do të destinoheshin në fondin konkret evropian.

Ministri grek ka theksuar se ky tatim, nëse zbatohet, sipas vlerësimeve, në vit do të sillte nëntë miliardë euro për BE-në, në bazë të konsumit nga viti 2021.

Kjo vlerë, sipas Skrekas do të mund të kombinohej me kredi të ulët prej 80 miliardë euro nga Banka e Investimeve Evropiane.

Mjetet nga fondi do të shfrytëzoheshin për mbështetje të kategorive të ndjeshme dhe të bizneseve të vogla dhe të mesme në kushte të çmimeve të rritura të gazit natyror; për financimin e investimeve në lëndë djegëse alternative, si hidrogjen i gjelbër dhe bimoetan; për mbulimin e nevojave të jashtëzakonshme të kompanive energjetike, për shkak të përpjekjeve të tyre për zëvendësim të gazit natyror rus; për zgjerim dhe modifikim të infrastrukturës së nevojshme për zëvendësim të gazit natyror, si dhe për zëvendësim të gazit natyror me lëndë tjetër djegëse dhe për rritje të efikasitetit energjetik.