Gregorçiq: Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së
Shkup, 28 shkurt – Keni mbështetje të vazhdueshme nga Sllovenia. Ne ju inkurajojmë të bëni çdo përpjekje dhe të jeni pjesëmarrës aktiv në rrugën drejt BE-së. Jemi të bindur se diplomacia e heshtur do të japë rezultate në negociata dhe se Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e Unionit sa më shpejt që të jetë e mundur, tha kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Sllovenisë, Monika Gregorçiq pas takimit me homologun e saj të Maqedonisë së Veriut dhe kryetar i Komisionit kuvendor për Politikë të Jashtme Antonio Miloshoski.
Gregorçiq, e cila drejton delegacionin slloven në vend, përveç mbështetjes së shprehur të drejtpërdrejtë të Sllovenisë për rrugën e vendit drejt BE-së, kujtoi se Sllovenia kryesoi Këshillin e BE-së vitin e kaluar dhe një nga qëllimet e tyre ishte vendosja e zgjerimit në agjendën e vendeve anëtare të BE-së, ndërsa Lubjana, thotë ajo, doli me një propozim për të përshpejtuar procesin e zgjerimit në lidhje me krizën aktuale të Ukrainës.
“Është e rëndësishme që ne të gjithë të flasim me një zë dhe të dënojmë Rusinë për agresionin e saj kundër Ukrainës. Sllovenia ka propozuar përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet kandidate, por në të njëjtën kohë duke i ofruar Ukrainës një afat kohor në të cilin Ukraina do të bëhet anëtare e BE-së. Ne besojmë se kjo do të respektohet dhe se do të bëhet çdo përpjekje për ta bërë këtë realitet. Së bashku si anëtarë të Unionit, ne duhet të mendojmë për një të ardhme të përbashkët, të mendojmë globalisht, por edhe të mendojmë në drejtimin që demokracia do të sundojë botën”, tha Gregorçiq.
Ajo në pyetje të gazetarëve përsëriti se procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përshpejtohet në mënyrë që, siç tha ajo, të mos lejohen lojtarë të tjerë të jenë në rajon.
“Tashmë po ndodhin ndryshime në ngjarjet në kontinent dhe në botë, prandaj ne besojmë se BE-ja duhet të kalojë nga faktori i fuqisë së butë në faktorin e fuqisë së fortë dhe të marrë të gjitha masat në këtë drejtim. Dhe përcjellim mesazhin e qartë të RMV-së se pavarësisht zgjedhjeve që do të pasojnë në Slloveni në prill, pavarësisht nga opsioni që do t’i fitojë zgjedhjet, mbështetja nga Sllovenia mbetet e pandryshuar. Sllovenia do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së dhe kjo nuk do të ndryshojë”, nënvizoi Gregorçiq.
Milloshoski falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që vendi t’i fillojë negociatat e merituara për anëtarësim nga viti 2009 e tutje, dhe theksoi se ndajnë pikëpamje të përbashkëta për situatën lidhur me pushtimin rus në Ukrainë.
“Nëse Sllovenia do të ishte fqiu jonë, Maqedonia tashmë do të ishte anëtare e BE-së, sepse ata, pavarësisht se cilës parti politike i përkasin, kanë një vizion serioz për një Evropë të bashkuar. Fatkeqësisht, disa nga fqinjët ende nuk e ndajnë atë vizion. Megjithatë, ne ende shpresojmë se Maqedonia do të ketë sukses me miqtë e saj brenda BE-së për të marrë atë që meriton pa ndonjë poshtërim apo shantazh shtesë”, tha Milloshoski.
Delegacioni slloven i kryesuar nga kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit Shtetëror të Sllovenisë, Gregorçiq do të takohet me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe me anëtarë të Grupit Parlamentar për bashkëpunim me Kuvendin e Sllovenisë.

