Goce Dellçev “mollë sherri” mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Shkup, 4 maj – Në ditën përkujtimore të figurës së Goce Dellçevit, presidenti bullgar Radev përçon mesazhe optimizmi e shprese për Maqedoninë e Veriut, për sa i përket rrugëtimit evropian. Perspektiva evropiane e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë dhe është qëllim strategjik i Bullgarisë, deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, shkruan Zhurnal.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgari si shtete fqinjë kanë ende të hapur kontestin historik, ku diskutohen figurat historike, identiteti, gjuha maqedonase. Ndër to flitet edhe për figurën e Goce Dellçevit, figurë e cila shpesh ka qenë “mollë sherri” për krerët e këtyre dy shteteve. Kërkesa e Bullgarisë që Goce Dellçev të njihet si bullgar është e papranueshme për palën maqedonase.
Megjithatë, integrimi i saj nuk mund të ndodh pa paraprakisht të garantohen të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut dhe të pengohet gjuha e urrejtjes. Këtë e tha Radev në hapjen e konferencës “Perspektiva evropiane për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë midis Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Tribuna është organizuar nga Instituti për kërkime historike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave dhe Institutit Shkencor të Maqedonisë së Veriut në kujtim të Goce Dellçevit të mbajtur sot në 119 vjetorit të vdekjes së figurës revolucionare maqedonase, ku të ftuar ishin edhe ish-kryeministrat Ljubço Georgievski dhe Vlado Buçkovski.
Ai po ashtu tha se Maqedonia e Veriut mund të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane vetëm nëse e çrrënjosë “maqedonizmin militant” dhe nëse i integron bullgarët në shoqërinë e tyre.
“Përkundër kësaj, përballemi me vendime të rëndësishme dhe dilema të vështira si ta bëjmë atë që sa më shpejtë të fillojnë negociatat derisa njëkohësisht vendosin barrierë me maqedonizëm militant. E qartë është se duhet të kërkojmë ku janë interesat tona që të kryqëzohen dhe të kërkojmë kompromise. Por kur flasim për kompromise – nuk mund të bëjë kompromise me të drejtat e bullgarëve në Maqedoni. Të drejtat e tyre duhet të jenë të regulluara në Kushtetutë me qëllim që të integrohen në jetën ekonomike dhe shoqërore, e për këtë duhet t’i jepet fund proceseve të debullgarizimit. Nuk mund të bëj kompromis me historinë tonë dhe identitetin. Është me rëndësi të veçantë ndalimi i gjuhës së urrejtjes dhe të fillohet me ndryshimin e librave. Nuk mund të pranoj se gjenerata më e re te fqiu ynë është edukuar në frymën e urrejtjes ndaj bullgarëve. Kjo është e papranueshme. Nuk ka shanse të shkojmë përpara nëse nuk zbulohen arkivat e “UDBA”-s.”, ka deklaruar Rumen Radev.
Këto deklarata janë thënë në ditën përkujtimore të figurës së Goce Dellçevit.
Bllagoevgrad nderoi kujtimin e Goce Dellçevit në ditën e 119 vjetorit nga vdekja e tij. Para monumentit të revolucionarit në sheshin “Maqedonia” në qendrën rajonale u vendosën lule.
Goce Dellçev është një nga revolucionarët më të rëndësishëm bullgar, i cili ndjek idealet e veprës çlirimtare të Vasill Levskit, tha për BTA drejtori i Muzeut Historik Rajonal në Bllagoevgrad dr. Kirill Aleksiev.
Goce Dellçev e sheh botën “vetëm si një fushë për konkurrencë kulturore midis kombeve”. Për të ndjekur pikëpamjet e tij, ne duhet të ndërtojmë ura, jo mure, të kërkojmë jo atë që na ndan, por atë që na bashkon, tha historiani Ivan Stojanov në ceremoni.
Udhëheqësi i VMRO-së Goce Dellçev u vra në një betejë me turqit osmane në vitin 1903 në fshatin Banica.
Është figurë historike të cilën e përkujtojnë dy shtete të ndryshme Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, dhe është “mollë sherri” në procesin e negociatave për arritjen e një marrëveshjeje për fqinjësi të mirë.
Megjithatë jemi në muajin maj dhe ka ngelur më pak se një muaj që do të mbahet samiti i qershorit aty ku do të vendoset për marrjen e datës për fillim të negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por për një gjë të tillë është e patjetërsueshme heqja e vetos bullgare për Maqedoninë Veriut.
Por aktualisht Maqedonia e Veriut po futet në krizë të thellë politike për faktin se partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE ka paralajmëruar bllokadë të Kuvendit, duke kërkuar zgjedhje parlamentare të parakohshme. E në rast të një situate të tillë gjithçka do të ndryshojë, për faktin se Petkov në Bullgari deh Kovaçevski në Maqedoninë e Veriut shiheshin si dy figura të reja politike, që synim të përbashkët kishin integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe krijimin e një partneriteti të mirë fqinjësor.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. /Zhurnal.mk