Gjysmë milioni afganë mund të ikin nga vendi, sipas UNHCR

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) tha se deri në gjysmë milioni afganë mund të largohen nga vendi tyre deri në fund të vitit.

UNHCR iu bëri thirrje vendeve fqinje me Afganistanin që t’i mbajnë kufijtë e hapur dhe të ofrojnë strehim për afganët.

“Sa i takon shifrave ne jemi duke u përgatitur për rreth 500,000 refugjatë të rinj në rajon. Ky është skenari më i keq”, tha Kelly Clements, zëvendëskomisionere e OKB -së për refugjatët.

Sipas saj, tash për tash nuk është duke u parë ndonjë fluks i madh i afganëve që largohen nga pikat kufitare, megjithatë situata brenda Afganistanit po ndryshon shumë shpejt.

Ditët e fundit është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të afganëve që kalojnë në Pakistan, tha ajo. Dyndja e refugjatëve afganë, gjatë katër muajve të ardhshëm, mund të përfshijë Iranin dhe Pakistanin dhe në vendet e Azisë Qendrore, vlerëson UNHCR.

Mijëra afganë kanë qëndruar ditët e fundit në aeroportin e Kabulit dhe jashtë objektit në përpjekje për të ikur nga vendi.