“Gjysma e veturave të shitura në Amerikë të kenë zero emetime deri në 2030” – reagojnë Ford dhe General Motors

Presidenti amerikan, Joe Biden dëshiron që gjysma e veturave të shitura në SHBA deri në vitin 2030 të jenë me zero emetime të gazrave, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Kjo do të zvogëlojë emetimet e karbonit dhe do të rrisë konkurrencën përballë Kinës, thuhet në deklaratë.

Trafiku në vitin 2019 përbënte 29 për qind të emetimeve në SHBA, ku shitjet e automjeteve elektrike mbetën prapa Evropës dhe Kinës, raporton cnbc.

Tre prodhuesit më të mëdhenj të veturave amerikane mirëpritën qëllimin e ri, megjithëse nuk është ligjërisht i detyrueshëm.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2 gradë Celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse asgjë nuk bëhet, transmeton Telegrafi.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump ka lehtësuar shumë rregullore mjedisore në SHBA, dhe Biden dëshiron të bindë botën të mendojë seriozisht kur bëhet fjalë për luftimin e ndryshimeve klimatike.

Duke reaguar ndaj njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Ford, General Motors dhe Stellantis kanë shprehur dëshirën që 40 deri në 50 për qind të shitjeve të tyre deri në vitin 2030 të jenë automjete elektrike.

Vitin e kaluar, vetëm rreth dy për qind e veturave të shitura në SHBA ishin elektrike, krahasuar me rreth dhjetë për qind në Evropë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Shumica janë vetura të Teslas, të cilat raportuan rritje të madhe të fitimit muajin e kaluar.