Gjuha mbrohet edhe kur ajo studiohet, duhet senzibilizim për studimin e gjuhës shqipe!
Shkup, 16 shtator – Shtatori muaj i fillimit të mësimit e studimit. Mësimi i obligueshëm e studimi vullnetar. Edhe përkundër faktit që vazhdimisht bëhen thirrje me vend që zgjedhja e profesionit duhet të jetë në duar kryesisht të atyre që do të studiojnë, pra pa qenë të ndikuar apo ndonjë profesion i imponuar. E natyrshme është që të mos plotësohet dëshira apo trashëgimi profesionesh, e megjithatë është shumë e nevojshme që të plotësohet nevojat deficitare të tregut të punës. Kur jemi këtu, kohëve të fundit janë dëgjuar lajme të shumta në mbrojtje të gjuhës shqipe, e pak kush brengoset se sa prej të rinjve shqiptarë po studiojnë gjuhën shqipe, shkruan Zhurnal.
Gjuha mbrohet edhe duke e studiuar –
Lufta onlajn për mbrojtjen e gjuhës shqipe bëhet edhe më e vobekt kur kuptohet fakti trishtues që katedra e gjuhës shqipe në Shkup akoma nuk ka plotësuar numrin e studentëve që do të studiojnë gjuhën shqipe. Pra, me kaq përfundon kauza për mbrojtjen apo afirmimin e gjuhës shqipe, pasi e lehtë është me një post në fejsbuk apo një koment me sharje e ofendime të tentohet të shitet “moral kombëtar”.
E nevojshme që të bëhet senzibilizim i gjithanshëm sidomos tek maturantët shqiptarë që të zgjedhin të studiojnë gjuhën amtare e përmes kësaj të prodhohet profesionistë të shumtë të kësaj fushe, që pastaj mbrojtja e gjuhës të bëhet sa dinjitetshëm aq profesionalisht.
Gjuha shqipe në bazë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, është gjuhë zyrtare, por me shumë mangësi në praktik deri në zbatimin e plotë, pa çka se janë të formuar edhe dy institucione të posaçme që duhet të kujdesen për zbatimin e plotë.
Kohëve të fundit ka pasur një debat të zhurmshëm për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga tabelat në autostradë sikurse një aparat mekanik i kurdisur që duhet vetëm të reagojnë pa çka se reagimet e tyre ishin me përplot gabime drejtshkrimore. Shqetësues është fakti që për mungesën e studentëve shqiptarë askush nuk ka reaguar as me një fjalë të vetme.
Nga këtu vërehet mungesa largpamësisë së politikanëve dhe viktimizimit të qytetarëve, sepse gjuha mbrohet vetëm kur studiohet dhe mësohet ashtu siç duhet dhe siç i ka hije. Pastaj, kur mbrojtja bëhet në mënyrë profesionale nuk mungon as rezultati.
Katedra e Gjuhës Shqipe në Shkup me vende të lira për tu regjistruar studentët –
Edhe përkundër regjistrimit të studentëve në afatin e parë, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Universitetin “Qirili dhe Metodij”, ende ka vende të lira për tu regjistruar në afatin e dytë, i cili është më 17 dhe 18 shtator.
Profesoresha, Ajtene Qamili tha se kriteret për tu regjistruar janë të ulta, ndërsa benefitet nga ky drejtim të mëdha.
“Ende ka vende të lira dhe gjithashtu ka student të interesuar për tu regjistruar në këto dy afate. Mesatarja e notës nuk është ndonjë kriter për tu pranuar studentët për arsye sa ka vende të lira. Kështu që të gjithë ata të cilët janë të interesuar dhe kanë dëshirë që të zgjedhin drejtimin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, qoftë në drejtimin arsimor, qoftë edhe për përkthyes nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas, vende të lira ka, gjithashtu anë pozitive është se për drejtimin e përkthyesve jepen bursa falas për studentët për tu motivuar dhe për tu punësuar”. – tha profesoresha Universitare, Ajtene Qamili për TVM2.
Ajo u bën thirrje maturantëve që të ndjekin studimet gjuhësore amë, për shkak se është drejtim që u sjell perspektivë dhe punësime.
“Të gjithë ata që kanë hamendje dhe nuk kanë vendosur se ku të regjistrohen unë iu kisha sugjeruar që të zgjedhin këtë drejtim për arsye se njohin së pari gjuhën në mënyrë më të mundshme, atë që nuk kanë arritur ta nxënë gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm këtu e përkryejnë dhe e sjellin në një mënyrë më të mirë të mundshme, gjithashtu njihen me kulturën, me letërsinë e gjuhës shqipe. Kjo katedër është shumë e vjetër dhe duam gjithmonë që ta mbajmë të gjallë”, deklaroi profesoresha Universitare, Ajtene Qamili për TVM2.
Pas afatit të dytë i cili është më 17 dhe 18 shtator, pason edhe afati i tretë më 27 shtator. Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkup ka 53 vite nga themelimi, është institucioni i parë i vetëm në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, i cili i ka dhënë orientim kombit shqiptar, pavarësisht rrethanave edhe në kohët më të vështira i’a ka dalë të mbajë gjallë gjuhën dhe kulturën shqipe.
Prandaj, ky fakt duhet të jetë shtytje shtesë për motivimin dhe nxitjen e maturantëve të zgjedhin të studiojnë gjuhën shqipe. Vetëm duke u shtuar studiues të rinj krijohet shpresë për një të ardhme të sigurt dhe stabile të gjuhës shqipe edhe në Maqedoninë e Veriut. /Zhurnal.mk