Gjorgievska: Ta rrisim vetëdijen se me transplantim dhe dhurim të organeve shpëtohet jetë

Shkup, 23 shkurt – Bashkëshortja e presidentit të Republikës së Maqedonisë, Elizabeta Gjorgievska sot mori pjesë në panel-diskutimin me temë dhurimi i organeve dhe transpalntimi “Çka është bërë? Deri ku jemi? Ku po shkojmë?”.

Bashkëbiseduesit diskutuan për aktivitetet edukative dhe informative me qëllim të ngritjes së vetëdijes tek qytetarët për transplantimin dhe dhurimin, për sfidat e regjistrit dhurues të vendit, për gjendjen rrjedhëse, shembujt e suksesshëm dhe progresin e arritur në vitet e fundit, për rregullativën ligjore dhe nëse nevojiten ndryshime, si dhe për problemet me të cilat përballen pacientët të cilëve u nevojitet transplantim. Rrëfimin e tij personal e ndau Kiril Jançovski, pacient me veshkë të transplantuar.

Gjorgievska në fjalimin e saj, siç kumtoi kabineti i presidentit, i përshëndeti shembujt e suksesshëm të transplantimit, që paraqesin hap të madh në sistemin shëndetësor të vendit, duke shtuar se dituria, gatishmëria e kapaciteteve dhe para së gjithash entuziazmi i të gjithë atyre të cilët janë të kyçur në proces edhe me tej do të rezultojë me sukses.

Lidhur me dhurimin e organeve dhe rregullativat ligjore, Gjorgievska porositi se para së gjithash duhet të respektohet dëshira e dhuruesit, por të kihet parasysh edhe gjendja psikologjike e familjeve në ato momente kritike.

Në debat morën pjesë Nikolla Bërzanov nga Klubi i mjekëve të rinj, prof.dr. Aleksandar Petliçkovski, udhëheqës i Institutit për imunologji dhe gjenetikë humane, dr, Irina Panovska-Stavridis, drejtoreshë e Klinikës për hematologji, dr. Bozhidar Koçovski nga Asociacioni i specializantëve, dr. Maja Mojsova Mijovska, Koordinuese nacionale për transplantim, Dushko Gjorgjiev nga Shoqata e pacientëve të sëmurë nga veshkat NEFRON dhe shefi i Delegacionit të BE-së, ambasadori Dejvid Gir.

Ata porositën se këto procese duhet të kenë mbështetje nacionale, të jenë të qarta dhe transparente, të sigurojnë mjete nga buxheti në drejtim të përforcimit të procedurave të deritanishme dhe vendosje e opsioneve të reja trajtuese për pacientët, monitorim më të mirë dhe cilësi më të mirë të jetës së të jgithë pacientëve me transplantim.

Panel-diskutimi paraqet vazhdim të serisë së debateve me tema nga shëndetësia, të filluara vitin e kaluar, me mbështetje të bashkëshortes së presidentit, Elizabeta Gjorgievska dhe ambasadori Dejvid Gir.