Gjobitet kryetarja e Këshillit Gjyqësor, ja pse

Shkup, 14 tetor – Kryetarja e Këshillit Gjyqësor Pavlina Cërvenkovska nuk e ka deklaruar në kohë pasurinë e saj në Komisionin për Luftë Kundër Korrupsionit dhe për këtë do të paguaj gjobë prej 150 euro, shkruan Alsat.

Siç deklaroi anëtari i Anti korrupsionit, gjatë grumbullimit të dokumenteve për të konstatuar pasurinë e kryetares së këshillit gjyqësor, kanë konstatuar edhe një sërë mospërputhjesh të të dhënave të pasurisë së Cërvenkovskës ndërsa për këtë do ta njoftojnë prokurorinë përkatëse.

“Në kolegjium është zbatuar procedurë për dhënien e shkeljes së konstatuar dhe dhënies së urdhëresë mandatore për pagim gjobe për mosdorëzim në kohë të listës anketuese, ndërsa kjo procedurë do të vazhdojë. Ka mospërputhshmëri të të dhënave të theksuara në listën anketuese, janë kompani që janë në pronësi të personave të afërt, bashkëshortit dhe ato dyshime që i kemi konstatuar lidhur me personat privat dhe juridik më nuk janë kompetencë e jona, por gjatë mbledhjes së informatave tona i kemi konstatuar. Për atë që e kemi konstatuar gjatë hetimit tonë dhe grumbullimit të informatave do ta informojmë prokurorinë publike”, tha Nuri Bajrami, anëtar i Anti Korrupsionit.

Puna e Gjyqësorit ishte në shënjestër të kritikave të Komisionit Evropian në raportin e fundit. Kryetarja e Anti Korrupsionit Biljana Ivanovska tha se zvarritja e lëndëve në gjyqësor pengon luftën e korrupsionit.

“Çdo institucion ka mundësi që të përmirësohet më tej dhe të tregojë rezultate më të mira., posaçërisht është përmendur gjyqësori, për shkak se përfundimi del prej atje. Andaj që të forcohet besimi i qytetarëve në institucioneve dhe në gjyqësor pritet që rezultate të dalin nga atje. Edhe vlerësimi jonë sillet në atë drejtim. Edhe ne po ashtu presim që lëndët tona dhe lëndë tjera që janë hapur në ato institucione të marrim përfundim, pasi siç thash mos ndëshkueshmëria është faktor me rrezik shumë të lartë, andaj që të zvogëlohet ai faktor i rrezikshëm, lëndët duhet të kenë përfundimin e tyre”, u shpreh Biljna Ivanovska, kryetare e Anti-Korrupsionit.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian theksohet se Anti Korrupsioni ka pasur punë efektive në ngritjen dhe hetimin e lëndëve në të cilat ka pasur dyshime për korrupsion.