Gjeniu i harruar i muzikës: Charlie Chaplin

I fshinte mëngët me Stravinskyn dhe ëndërronte në gjumë një muzikë të bukur filmi. E pse dimë aq pak për aferën e dashurisë të Chaplinit me muzikën? Shkrimin e gazetares Ariane Todes, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Mund të duket e çuditshme të thuhet se një nga artistët më të famshëm në botë është i nënvlerësuar. Por, Charlie Chaplin është i nënvlerësuar. Jo si komedian, aktor apo si regjisor, por si kompozitor. Shumica e njerëzve i njohin temat muzikore “Smile” (Buzëqeshja), “Eternally” (Përjetësisht) dhe “This Is My Song” (Kjo është kënga ime), por nuk e dinë se Chaplini i ka shkruar ato për filmat “Modern Times” (Kohët moderne), “Limelight” (Në qendër të vëmendjes) dhe “A Countess from Hong Kong” (Kontesha nga Hong Kongu). Adhuruesit e dinë se nga filmi “City Lights” (Dritat e qytetit) i vitit 1931 e tutje, ai e kompozoi muzikën për të gjitha filmat e tij dhe se si i moshuar ka shkruar muzikën për filmat më të hershëm. Megjithatë, nuk përmendet asnjëherë në diskutimet e kompozitorëve të filmit dhe në një sondazh të kohëve të fundit të Radio Times-it mbi kolonat zanore filmike, emri i tij nuk përmendet fare.

Kjo mund të ndryshojë këtë vit. Shumë nga festimet që shënojnë 130-vjetorin e lindjes së Chaplinit, janë të përqendruara edhe në muzikën e tij.

Pasioni i tij për muzikën nisi si djalë i ri, kur dëgjoi një melodi me harmonikë dhe klarinetë në një pijetore në Kennington të jugut të Londrës, siç shkroi vet në një memoar të vitit 1922, “Udhëtimi im jashtë”: “Bukuria e asaj muzike ishte si mister i ëmbël… dija vetëm se e doja dhe se nderohesha teksa tingujt barteshin nëpërmjet trurit drejt zemrës sime”.

Si djali i artistëve skenikë, këndoi për herë të parë në moshën pesëvjeçare. Si adoleshent, mësoi vet violinën dhe violonçelin. Stan Laurel, që performonte me të kur ishin pjesë e trupës së Fred Karnos më 1910, ka thënë: “E merrte violinën kudo që mundte. I kishte telat në anën e kundërt, që t’i binte me të majtën dhe ushtronte me orë të tëra. Merrte edhe violonçelin me vete. Në ato kohë, vishej gjithmonë si muzikant…”!

Chaplini vazhdoi të luante violinën e tij edhe kur u bë yll në Hollivud. Gazetari Charles Lapworth shkroi në vitin 1918: “Është e pazakontë nëse Charlie nuk e merr violinën dhe harkun dhe të shoqërojë ndjesitë tua me një obligato të klasikëve”.