Gjendja me covid në Tetovë alarmante, po bëhet riorganizim për sigurim të kapaciteteve

Tetovë, 16 gusht – Rapide është rritja e të hospitalizuarve në covid qendrën e Tetovës. Gjithsej 90 pacientë të hospitalizuar ndërsa në 24 orët e fundit kanë vdekur dy gra të moshës 44 dhe 52 vjeçare.

Përpos kësaj, po rritet dhe numri i kontrolleve me ambulancë e cila është rritur në 120 të tilla. Mjeku Nuredini thotë se nga këto kontrolle me ambulancë, disa pacientë për dy ditë mund të pranohen dhe në spital. Në Gostivar ndërkohë janë hospitalizuar 70 pacientë dhe 95 në Klinikën Infektive në Shkup, përcjellë Zhurnal.

“Kjo është si pas lufte. Me koronën, mundet dy ditë të jetë mirë e treta të jetë katastrofale. Nuk mund të parashihet. Ka disa familjarë të të hospitalizuarve të cilët pyesin për gjendjen. Por edhe kur është mirë nuk mund të themi se është super, sepse edhe nga fotografia klinike e mirë, me parametra laboratorike, saturacioni mundet që për pesë gjashtë orë të bie nga 90 në 40. Bëhet fjalë për raste prej dasmave, festimeve. Të rinjtë shkojnë në dasma, pleqt qëndrojnë në shtëpi dhe ata tani vijnë në spitale. Në 24 orë pranuam 20 pacientë. Ndëruan jetë dy gra të moshës 44 dhe 52 vjeçare, të dyja të pavaksinuara. U hospitalizuan vetëm 8 me një dozë të pranuar të cilat ende nuk kanë krijuar imunitet”, tha mjeku Gëzim Nuredini për Slloboden Peçat.

Të tjerët të pranuar në spital janë të pavaksinuar. Në spitalin e Tetovës po vlon nga pacientët dhe po bëhet një riorganizim për lirimin e kapaciteteve.//Zhurnal.mk