Gjendja dhe dëshirat e partive politike/ Dikush don Evropë, dikush pushtet !

Shkup, 11 janar – Pasi që zëvendëskryetari për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq e hapi mundësinë për formimin e koalicionit të gjerë parazgjedhor në drejtim të mbështetjes së procesit eurointegrues në vend, MIA kërkoi qëndrim për këtë mundësi nga subjektet politike.

Sipas Mariçiqit, koalicioni i gjerë, do t’i përfshinte të gjitha partitë, përveç VMRO-DPMNE-në dhe Të Majtën dhe do të formohet në drejtim të krijimit të frontit të gjerë të partive politike, që do të gjenden në anën e mbështetjes për anëtarësim të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE. Mariçiqi në emisionin “360 Gradë” të TV Alsat bëri të ditur se LSDM-ja është parti e madhe, serioze dhe e përgjegjshme që ka qëllim dhe plan të qartë, e ky është fokusimi në konceptin dhe rrugën evropiane.

Nga LSDM-ja në pyetjen për koalicion të gjerë në interes të procesit eurointegrues për MIA-n theksuan se qëndrimi i partisë është identik me atë që në opinion e ka parashtruar Mariçiqi në intervistën për “360 Gradë” dhe se ai e ka parashtruar qartë idenë dhe qëllimin e saj.

Nga partneri i koalicionit i LSDM-së, BDI-ja, bëjnë të ditur se mbeten në qëndrimin se në këto momente të rëndësishme janë të interesuar për ndërtimin e frontit të gjerë proevropian me përfshirjen e të gjitha partive politike të cilat si prioritet e kanë procesin eurointegrues.

“Tani në këto momente të rëndësishme jemi të interesuar që të ndërtojmë front të gjerë proevropian i cili do të përballet me të gjitha sfidat me të cilat përballet shteti dhe shoqëria. Për zgjedhjet e radhës gjithsesi se ne jemi të fokusuar maksimalisht në realizimin e përcaktimeve programore, përcaktimet qeveritare për të cilat kemi votuar kur ia kemi dhënë besimin Qeverisë, ndërsa zgjedhjet janë në vitin 2024 dhe deri atëherë ka kohë. Tani jemi të fokusuar maksimalisht në realizimin e përcaktimeve programore. Front i gjerë proevropian do të thotë përfshirjen e të gjitha partive politike, të cilat si prioritet e kanë procesin e eurointegrimit dhe jo vetëm parti politike, por edhe organizata joqeveritare dhe ekspertë, etj., informojnë nga BDI-ja.

Zëvendëskryeministri në intervistën nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse Aleanca për Shqiptarët do të hyjë në Qeveri, por tha se ekziston gatishmëri dhe ide, ndërsa nëse kjo do të ndodhë në periudhën e ardhshme do të varet nga bisedimet dhe vullneti i liderëve politik.

Nga ASH-ja, nga ana tjetër, bënë të ditur se në këtë moment nuk janë duke biseduar për hyrjen në koalicionin qeveritar. Nga kjo parti për MIA-n shprehen se deri tani “janë në koalicion vetëm me qytetarët” dhe nuk mendojnë për forma të tjera.

“Partitë në këtë moment duhet të përqendrohen që të punojnë për votimin e ndryshimeve kushtetuese, reformave dhe hapjen e bisedimeve me BE-në. Këto procese nuk duhet penguar me asgjë”, njoftojnë nga ASH-ja.

Nga ASH-ja bëjnë të ditur se ata vazhdimisht i japin mbështetje procesit të eurointegrimit.

“Kur jemi te procesi eurointegrues, ASH-ja e mbështetë tërë kohën dhe në çdo hap, e në disa raste siç ishte “propozimi francez”, ishim edhe faktori vendimtar që e shpëtoi votimin, derisa shumica nuk kishte kuorum”, shprehen nga kjo parti.

Lëvizja BESA, siç theksuan nga kjo parti, nuk komenton qëndrime dhe strategji të partive të tjera.

“Lëvizja BESA çdo ditë ka mbështetjen gjithnjë e më të madhe me politikat e saj autoktone dhe qëllimi ynë është të jemi fitimtar në bllokun shqiptar”, shprehen nga kjo parti.

VMRO-DPMNE-ja opozitare, nga ana tjetër, konsideron se Qeveria “në mungesë të besimit të qytetarëve”, tenton të përvetësojë politikanë “si zëvendësim për poste ministrore ose të drejtorëve”.

“Kroatët kanë një fjalë të urtë përkatëse që mund të reflektojë edhe dëshirat politike të Qeverisë së LSD-së, të mbështetur nga BDI-ja, e kjo është “gjyshja çfarë ka dëshiruar, gjyshja atë e ka ëndërruar”. Standard evropian është që Qeverinë dhe kryeministrin t’i zgjedhë populli në zgjedhje, e jo si Kovaçevski dhe Ahmeti, të cilët konsiderojnë se funksionarët shtetërorë duhet t’i zgjedhin Qeveri popullit. Por, meqë Qeveria nuk mund të përvetësojë besimin e shumicës së qytetarëve, me siguri do të tentojë që të përvetësojë edhe një grusht politikanësh si zëvendësim për poste ministrore ose të drejtorit. Sidoqoftë, Qeveria që nuk ka legjitimitet popullore në të shumtën e rasteve nuk ka as kapacitet të punojë në interes të popullit dhe herët a vonë qeveritë e tilla bien”, potencojnë nga kjo parti.

Ndryshe, Mariçiqi në intervistën shprehet se secila ide dhe koncept që shpie në drejtim të krijimit të frontit të gjerë të partive politike që do të hasen në anën e mbështetjes edhe të reformave kyçe, anëtarësimit të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE dhe mënjanimin e të gjitha barrierave në këtë rrugë është diçka për të cilën ia vlen të mendohet.

“Mendoj se të gjitha këto ide implikojnë zmadhimin e frontit për Maqedoni evropiane dhe të frontit që duhet t’i miratojë ndryshimet, ndërsa fronti duhet të jetë i hapur për të gjithë ata që besojnë sinqerisht në ardhmërinë evropiane të Maqedonisë së Veriut, duhet ta lëmë si temë e të menduarit dhe koncept i të menduarit”, tha Mariçiqi.