Gjatë sulmit terrorist në Somali jetën e humbën së paku 48 persona, mes të cilëve edhe një deputete
Së paku 48 persona e humbën jetën, përfshirë edhe një deputete, ndërsa 108 janë lënduar dje kur dy sulmues vetëvrasës me bombë kryen sulm në kryeqytetin rajonal Beledvejn në pjesën qendrore të Somalisë.
Deputetja Amina Mohamed, e cila ishte në Beledvejn në kuadër të fushatës së saj parazgjedhore, është mes të vrarëve në sulmin vetëvrasës me bombë, së bashku me politikanë të tjerë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, deklaroi për DPA zëdhënësi i policisë, Hasan Diisou.
Sipas raporteve, cak i sulmit të parë ishte Mohamed, ndërsa disa minuta më vonë, sulmuesi i dytë me bombë, i cili drejtonte automobilin, i sulmoi automjetet ushtarake me viktimat nga shpërthimi i parë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi terrorist islamik Al Shabab, përmes radio stacionit Andalus.
Sulmi ndodhi ditën e njejtë kur luftëtarët e Al Shabab hynë me dhunë në aeroportin në Mogadishu, me ç’rast, sipas autoriteteve somaleze, jetën e humbën tetë persona.
Somalia, ku jetojnë rreth 16 milionë njerëz, me vite vuan nga dhuna e grupit Al Shabab. Grupi terrorist, i cili kontrollon pjesë të mëdha të territorit në rajonet jugore dhe qendrore, shpesh sulmon pjesëtarë të forcave të sigurimit dhe civilë.

