Gjatë kontrolleve policore në 160 lokacione janë marrë 18 copë armë dhe janë arrestuar 10 persona

Shkup, 30 janar  – Nëpunës të policisë nga Byroja për Siguri Publike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në koordinim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, sot zbatuan aksion kontrollues, me çka janë marrë 18 copë armë dhe 111 copë municion.

Siç bëri të ditur MPB, aksionin kontrollues e zbatuan në rajonin e gjithë shtetit në periudhën prej orës 04:00 deri në orën 08:00, me qëllim sanksionimin e veprave penale dhe kundërvajtje në lidhje me Ligjin për Armë, Ligjin për Gjueti, Kodit Penal, etj.Në kuadër të aksionit janë kryer kontrolle në 160 lokacione në rajonin e të gjithë sektorëve për punë të brendshme, me çka janë kapur 10 persona, ndërsa nga liria janë privuar pesë persona të cilët nuk i kanë respektuar dispozitat e lartpërmendura ligjore.

“Në kuadër të kontrollit janë vërtetuar gjashtë vepra penale prej të cilave pesë sipas nenit 396 të Kodit Penal – për përgatitje të palejuar, mbajtje dhe tregtim me armë ose materie spërkatëse dhe 1 sipas nenit 215 nga Kodi Penal – për prodhim të palejuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substanca psikotrope dhe prekursorë. Janë konstatuar edhe 23 kundërvajtje prej të cilave 17 sipas Ligjit për Armë dhe Ligjit për Gjyeti, përderisa 6 kundërvajtje kanë të bëjnë me ligje të tjera”, njoftuan nga MPB.

Kundër të gjithë personave të cilët kanë bërë shkelje ose vepër penale, pas dokumentimit të rasteve do të ngritet kallëzim adekuat.