Gjashtë lojtarë të Barcelonës mund të kenë luajtur ndeshjen e tyre të fundit në shtëpi

Eksodi i Barcelonës në afatin kalimtar të verës pritet t’i përfshij gjashtë futbollistë, të cilët mund të kenë luajtur ndeshjen e fundit në shtëpi me fanellën e klubit katalunas.

Barcelona fitoi me stil ndeshjen e fundit në shtëpi për sezonin 2023/24, duke mposhtur Rayo Vallecanon me rezultat 3-0 në kuadër të La Ligas.

Por, kjo në fakt mund të jetë ndeshja e fundit në ‘Estadi Olimpic Lluis Companys’ për disa që u paraqitën në lojë.

Sipas gazetës Mundo Deportivo, deri në gjashtë lojtarë të Barcelonës mund të kenë luajtur ndeshjen e tyre të fundit në shtëpi.

Kjo përfshin emra të mëdhenj lojtarësh si Joao Felix, Joao Cancelo, Raphinha, Marcos Alonso, Ronald Araujo dhe Vitor Roque.

Dy emnakët portugez janë aktualisht në huazim dhe nuk është marrë asnjë vendim nëse ata do të nënshkruhen përgjithmonë nga katalunasit.

Edhe sulmuesi brazilian, Vitor Roque, thuhet se do të largohet nga klubi gjatë verës.

Barça thuhet se është gati të shesë Araujon dhe Raphinha për tarifa të mëdha.

Kjo po planifikohet për të ndihmuar në përmirësimin e situatës financiare të klubit dhe për të shtuar më shumë para në buxhetin e transferimeve të verës.