Gir : Letërsia maqedonase ka çfarë t’i ofrojë Bashkimit Evropian

Shkup, 22 shkurt – Mbrojtja dhe promovimi i gjuhës amtare përmes letërsisë ishte tema e debatit të dytë të serisë „#Culture Talks“, që e organizoi “Shtëpia evropiane” në Shkup.

Në debatin, që u mbajt me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, siç informojnë nga Ministria e Kulturës, u potencua rëndësia jetike e kësaj dite për promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve por në të njëjtën kohë edhe për ngritjen e vetëdijes për diversiteti linguistik dhe kulturor.

Panelistë të debatit ishin ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, shefi i Delegacionit të BE-së në vend, ambasadori Dejvid Gir, profesoresha e Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup dhe drejtoreshë e Seminarit për gjuhë, letërsi dhe kulturë maqedonase, dr. Vesna Mojsova-Çepishevska, laureati i Çmimit Evropian për Letërsi, Petar Andonovski dhe lektori i gjuhës maqedonase Dejan Vasilevski.

Kostadinovska-Stojçevska shprehu kënaqësinë që gjuha maqedonase njihet si zyrtare në Bashkimin Evropian dhe përmendi aktivitetet që po ndërmerren në drejtim të mbrojtjes dhe promovimit të saj.

Ajo theksoi se këtë vit në kulturë po shënohen disa përvjetorë të rëndësishëm dhe në këtë kontekst po përkrahen disa projekte të Institutit të Gjuhës Maqedonase, përmes të cilave do të shënohet si duhet shtatëdhjetëvjetori i tyre, si dhe shënimi i 120 vjetorit të botimit të librit të Kërste Misirkovit “Për çështjet maqedonase”.

Ministrja e Kulturës foli edhe për mbështetjen e ngjarjeve që kanë rëndësi të madhe për promovimin e gjuhës sonë, siç janë mbrëmjet strugane të poezisë dhe seminari për gjuhën, letërsinë dhe kulturën maqedonase. Ajo kujtoi se këtë vit 500 tituj kanë marrë mbështetje në afro 40 evente në industrinë botuese.

Ambasadori Gir potencoi se ishte i lumtur që u bashkua, siç tha ai, në këtë shënim të gjuhës amtare. Ai shtoi se për të anglishtja është gjuha e tij amtare, një gjuhë me të cilën është i lidhur personalisht dhe ndjen se ka avantazhin të flasë një gjuhë që flitet gjerësisht, ashtu siç ndihet për shembull edhe dikush nga Spanja.

“Ngjarje të tilla janë magjepsëse dhe shumë prezantime këtu më hapën sytë. Kjo kulturë ka çfarë të japë, jo vetëm këtu, por edhe në BE”, shtoi Gir.

Në debat medimet e tyre në këtë temë i dhanë edhe studentë, gazetarë, lektorë, bibliotekistë dhe të tjerë.